Nuk para qëllon të shohim sultjash të zi. Domethënë për ne kjo qe hera e parë. Kur na dërgoi mikesha Klaudeta Skënderasi fotografinë si zor se imazhi na u duk si sultiash. Pastaj ajo shpjegoi se për të gatuar atë kishte përdorur orizin e zi: si nënë e dy fëmijëve të vegjël, gjithmonë në kërkim të gjetjes së produkteve të shëndetshëm dhe mënyrës se si t’ua bëjë të dashur ushqimin fëmijëve që jo gjithmonë hanë, ajo është në kërkim dhe shpikje të recetave dhe pjatave të ndryshme nga tradita. Një prej tyre ishte dhe ky sultjash i zi, që ia vlen për t’u provuar, në mos për shijen për vlerat ushqyese, shumë më të mëdha sesa orizi I bardhë.
Orizi i zi është një nga drithrat më të lashtë me vlera shëndetësore befasuese, më të larmishme se gjithë varienetet e tjera të orizit. Ai përmban sasinë më të lartë të antioksidantëve, proteinave dhe fibrës, por është dhe një burim i mirë hekuri. Një racion me oriz të zi përmban vetëm 160 kalori, por ofron shumë element të dobishëm, ngjyra e zezë ose vjollcë e errët, ashtu si edhe tek boronicat, tregon sasinë e madhe të antioksidantëve.
Përbërësit
Sultjash me oriz të zi
1 lt qumësht
1 1/2 filxhan çaji oriz të zi
5 lugë sheqer
1 lugë çaji kanellë
Arra
Bajame të qëruara
Lajthi
Arra brazili
Fruta pylli të thata
1 dardhë
Vanilje
1 lugë niseshte
Përgatitja
Në fillim ziejmë orizin dhe frutat e thata me ujë për rreth një orë. Orizi i zi zien shumë më ngadalë se orizi i bardhë. Pasi kokrrat të jenë zbutur hedhim sheqerin, qumështin, frutat e pyllit, kanellën, vaniljen. I lëmë të ziejnë sa qumështi të avullojë. Në fund shtojmë niseshten, dardhën e grirë. E lëmë dhe 1 minutë dhe e heqim nga zjarri. Pasi e hedhim nëpër tasa të vegjël i shtojmë sipër shegë.