Titullin ma frymëzoi një koment “smirush” në inbox, i tipit “s’kam parë ndonjëherë pilaf më të shëmtuar”. Kështu mund të thoshte Edhe gjyshja ime ndjesë pastë, vetëm pa e përdorur atë fjalën e shëmtuar. Do të mjaftohej duke thënë “e ke bërë si llapa” pilafin, që për ato që nuk e dinë është orizi me shumë ujë, që zakonisht gatuhet për të mbledhur barkun. Por ja që në Italinë e bekuar këtë “llapanë” e bëjnë me shumë shije dhe janë shumë larg asaj formulës sonë preçize: dy ujë një oriz. Sa më kremoz risotto (kujdes, jo pilafi), aq më i mirë është.
Edhe pse unë pilafin e dashuroj (me shumë gjalp, me fasule, ose dhe me pulë, apo qofte, a lëng tasqebapi apo kima sipër) kësaj radhe kam bërë një risotto me shumë shije: dardhë dhe djath Gorgonzola. Receta e thjeshtë është meritë e Linda Fishtës dhe librit të saj “200 receta”. Për ato që më shkruan në inbox dhe më qanë hallin që mezi e qullosin, mendoj që mund ta bëjnë shumë thjeshtë, mjafton të blejnë orizin enkas për të (jo orizin e pilafit) dhe të mos tentojnë ta lajnë siç bëjmë me orizin tonë. Niseshteja që përmban ky oriz është e domosdoshme që të kemi një risotto kremoz. Dhe mos harroni që një gjysmë gotë verë për ta shuar, nuk na bën kurrë keq.
Përbërësit për 4 persona
400 gr oriz; 1 qepë e vogël; ½ gotë verë e bardhë; lëng zarzavatesh i valuar (në mungesë mund të përdorni ujë me një kubik Knor; 150 gr djathë Gorgonzola; 3 dardhë jo të pjekura shumë, 50 gr gjalpë ose 3 lugë gjelle vaj ulliri; kripë; piper; ca gjethe rozmarinë.
Përgatitja
Në një tenxhere skuqim me gjysmën e gjalpit qepën e grirë imët dhe kur ajo të jetë zverdhur mirë shtojmë orizin. Kur kokrrat të nisin të ndrrojnë ngjyrë, e spërkasim me verë.
Pasi vera të ketë avulluar, e mbulojmë orizin me lëng të valuar, i hedhim kripë dhe e lëmë të ziejë.
Përziejmë herë pas here dhe shtojmë lëng të valuar sipas nevojës.
Pesë minutat e fundit do të shtojmë dardhat e qëruara dhe të prera në kubikë, Gorgonzola-n në kubikë dhe rozmarinën e grirë imët. I përziejmë të gjitha.
Kur orizi të ketë ziejë, e provojmë për kripë, shtojmë piper, shtojmë gjalpin që kishim lënë mënjanë dhe i përziejmë me shpejtësi.
Pjatat i zbukurojmë me feta dardhe të prera hollë dhe rozmarinë të freskët.