Kur mami Ilva bën pancakes të dielave

5 vjet me parë

Ilva Tare nuk gatuan çdo ditë, por kur e bën, e bën shumë mirë. Dhe nëse mendoni se kjo çështja e të gatuarit ka të bëjë me të qenit mami dhe gatimi është diçka e re në jetën e saj, gaboni: ajo gjithmonë ka gatuar mirë, zakonisht fundjavave, kur ka edhe më shumë kohë. Duke qenë shijuese e mirë e ushqimit, nuk ka si të ishte ndryshe, ato gjëra që bën në shtëpi i bën gjithmonë shumë të mira. Zgjedh receta të thjeshta, interneti i vjen goxha në ndihmë për të eksperimentuar e për të ndjekur videorecetat dhe pikën e fortë gjithnjë ka shtrimin e tryezës. Edhe nëse ha diçka fare të lehtë në shtëpi, qoftë dhe kafen e pasdites, Ilvës i pëlqen ta shtrojë bukur, në fajanca të bukura. Sigurisht që kur gatuan për fëmijët impenjohet dyfish, si për pëmbajtjen ashtu edhe për formën: vajza e saj Melody e tërhequr nga ngjyrat nuk mund t’i thotë kurrë “jo” një mëngjesi të tillë me pancakes, që të zbukuruara me mjedra ta bëjnë me sy.

Petullat e saj pancake, sipas kësaj recete janë shumë të thjeshta për t’u përgatitur, nuk janë shumë të ëmbla dhe të aromatizuara lehtë me vanilje, mjaft të shijshme.

Përbërësit:

Miell një filxhan çaji e gjysmë, sheqer i bardhë 2 lugë gjelle (ose mund të provoni atë kaf, por që i bën petullat më të squllëta), fryrës ëmbëlsirash që t’i bëjë të shkrifëta 1, kripë e imët një gjysme luge kafeje, ose nëse përdor gjalpë me kripë, pak më pak.

Përbërësit e lëngët: qumësht 290 ml (mirë është të jetë gjysmë i skremuar), gjalp i shkrirë 4 lugë dhe pak ekstra për në tigan, një vezë, ekstrakt vaniljeje.

Përgatitja:

Përzierja e tepërt e brumit të petullave i bën ato të rënda dhe jo të shkrifëta, ndaj është mirë që përbërësit e thatë dhe ata të lëngshëm të përzihen veç e veç me njëri – tjetrin. Qumështi duhet i vakët. Në fund bashkojini.

Ngrohni një tigan të madh në pllakën e sobes me nxehtësi mesatare. Kur të nxehet tigani hidhni pak gjalp dhe përgapeni në gjithë sipërfaqen. Hidhni brumin në rrathë dhe piqini në çdo anë nga dy minuta.

Mund t’i shërbeni me shurup panje, gjalpë, mjedra apo edhe borronoca apo të tjera fruta që mund t’i kenë qejf fëmijët tuaj.