Alida shoqja ime kishte ditëlindjen. Jo ndonjë përvjetor, madje meqenëse jemi brezi i të dyzetave, teknikisht jemi në atë moshën kur shumica e moshatareve tona u ruhen tortave si djalli temjanit… Por ja që ne kemi vendosur të bëjme ndryshe: ditëlindjet janë arsyeja më e mirë për t’u mbledhur, për t’u gëzuar, për të bërë qejf. Dhe për të ushtruar pasionet tona. Në këtë rast, unë mund të ushtroj gatimin, Rozi, kolegia jonë shopping-un, domethënë zgjedhjen dhe blerjen e dhuratës, kurse Zefina të japë direktivat si shefe në grupin e Whatsaap dhe herë pas here, si më me këmbë në tokë, të na tërheqë vëmendjen që po e teprojmë me chat dhe po shmangemi nga ideja theltare e grupit, që është festimi i të gjitha ditëlindjeve, sipas një kalendari vjetor që kemi bërë çuna e goca, me të cilët dikur kemi punuar në të njëjtën revistë… Dy nga cunat madje nuk i rezistuan intensitetit të chat-it dhe e lanë grupin e “djallushkave”. Për t’i marrë me të mirë, me shpresën të na bashkohen përsëri, pas shumë e shumë vramendjesh provova të gatuaj “kekun e ëngjëjve”. Quhet i tillë sepse është si sfungjer i bardhë, si një copë resh, mjaft delikat edhe në shije
Çdo djallushke herë herës meriton të nxjerrë nga duart një tortë ëngjëjsh. Do kemi kohë më vonë, në një tjetër ditëlindje të provojmë edhe kekun e djajve.
Përbërësit
10 të bardha vezësh në temperaturë ambienti
1 lugë çaji uthull të bardhë
2 decilitër sheqer
3 e ½ decilitër sheqer pluhur
2 e ½ decilitër miell
1 lugë çaji vanilje
Një majë luge kripë
Për kremin
125 gramë gjalpë të butë
1 decilitër sheqer pluhur
1 decilitër panë
2 lugë çaji vanilje
Përgatitja
Ngrohim fillimisht furrën në 175 gradë celcius
Rrahim të bardhat e vezëve bashkë më uthullën, derisa të formohet një marengë e fortë dhe shtojmë gradualisht sheqer.
Përzihen në një tas sheqeri pluhur, mielli, vanilja dhe kripa dhe pastaj me kujdes hidhen të bardhat e vezëve.
Përzierja hidhet në një tave me unazë të lëvizshme, pa e lyer me gjalpë ose pudrosur me miell. E godasim lehtë anash që të shmangim flluskat e ajrit.
Lihet të piqet rreth 40 minuta. Kekun mund të shtypim me gisht dhe nëse kthehet në vend, domethënë që është bërë.
E kthejmë menjëherë përmbys dhe e lëmë të ftohet nën tavë.
Ndërkohë pregatitet kremi i pastiçerisë. Rrihet gjalpi dhe shtohet pak nga pak panë dhe sheqer pluhur. Më pas hidhet vanilje dhe masa trazohet derisa të formohet një krem i njëtrajtshëm.
Keku nxirret nga tava me anë të një thike. Me kujdes hiqen koret, në mënyrë që të përftohet “e bardha e ëngjëjve”.
Nëse doni mund ta prisni në dy feta paralele, dhe t’i ndani në mes me një shtrësë kremi. Unë e ndava edhe që të provoja thikën e re të Tescoma, që kam marrë enkas për këtë punë. I ndarë ose jo, keku mbulohet i gjithi me krem dhe zbukurohet me fruta të freskëta. Meqë në supermarketin e lagjes sime mungonte rrushi i kuq ribes, që do e bënte më të bukur, vendosa të rrija tek e nardha dhe e zbukurova me toptha “Rafaelo”.