Nga Jonida Skëndo/ Të gjitha mamat që u kanë bërë krem orizi bebave tw tyre, mund të shkojnë direkt tek pjesa e përgatitjes se mollëve, pasi ky krem orizi bëhet njësoj, me një ndryshim të vogël, tek përbërësit.
Recetë e frymëzuar nga recetat e Silvia Petruzelli (www.ilcibodellasalute.com)
Përbërësit:
1 filxhan miell ose krem orizi integral
3 filxhanë ujë
2 filxhanë qumësht bajameje
Pak kripë deti
1 molle jeshile dhe 1 mollë e kuqe
1 lugë gjelle kanellë
400 gr fruta të thata (arra, bajame, lajthi)
2 lugë gjelle vaj kokosi
2 lugë gjelle shurup agave ose panje
1 lugë gjelle sheqer kokosi
1 lugë çaji paprika
1 lugë gjelle kanelle
Përgatitja:
Ngrohet fillimisht uji dhe i hidhet kripa dhe mielli i orizit, derisa të marrin valë. Me pas ulet nxehtësia dhe lihen të ziejnë rreth 20 minuta. Rreth minutes së dhjetë hidhet qumeshti i bajames dhe lihen të ziejnë bashkë edhe 10 minuta të tjera.
Ndërkohë qe zjen kremi i orizit, merremi me mollët. I presim sa më hollë mollët, pasi i kemi hequr lëkurën i vëmë në një tenxhere, shtojmë pak kripë dhe i lëmë në nxehtësi të ulët dhe të mbuluara me kapak për 15 minuta, duke i përzierë herë pas here.
Në fund të zierjes i shtojmë kanellë mollëve, sipas dëshirës ose gjithë lugën e gjellës.
Ndërkohë që ziejnë mollët, ndiz furrën në 180 gradë celcius dhe në një tepsi me letër kuzhine vendos frutat e thata. Hidhi sipër vajin, shurupin, kanellën, paprikan, sheqerin e kokosit. Përzieji mirë dhe futi në furrë për 10 min.
Në përfundim të pjekjes, shto përzierjen e frutave të thata dhe mollës tek kremi i orizit.
Një prekje plus për embëlsirë-ngrënësit
Për Dionin unë i hedh një lugë gjelle krem lajthie të bërë në shtëpi ose shurup panje, që e ëmbëlson akoma më shumë. Për Aven dhe veten, as që bëhet fjalë: ëmbëlsia natyrale e mollës mjafton dhe është super.