Kofshë gici të mbushur, kur jashtë është tartakuti

4 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Ndërsa temperaturat janë ulur ndjeshëm, ushqimet kalorike ndihmojnë për të shtyrë dimrin dhe për ta bërë gjumin letargjik të njeriut-ari shumë më të gjatë.

Duke qenë në një trysni të vazhdueshme për të publikuar receta nga bashkëndërtuesja e rozmarina.al, Iva Tiço vendosa të propozoj një kofshë të mbushur derri, e cila me siguri do i shkojë shumë pas fijes gjermanit të fundit, i cili vazhdon të qëndrojë i fshehur në shtëpinë e Ivës si tek filmi “Dear enemy” i Gjergj Xhuvanit.

Përbërësit:

Kofshë e plotë gici

Hudhër (4 thelpinj)

Piper i kuq kokërr

Ullinj (10 kokrra)

Qepë (1 kokërr)

Kumbulla të thata (5 kokrra)

Karrotë (1 copë)

Selino (1 fije)

Kripë

Vaj ulliri

Rozmarinë

Dafinë

Rigon

Vaj ulliri

Verë e bardhë

Përgatitja:

Kofshës së gicit i hiqni kockën, por me kujdes pa e copëtuar dhe prishur formën. Pra, thënë më ndryshe lëreni ta bëjë kasapi këtë punë. Merreni me gjithë cipën e lëkurës, sepse na duhet yndyra e saj dhe pos kësaj e bën krokante pjesën e mësipërme.

Copën e mishit shpojeni me thikë në vende të ndryshme dhe mbusheni me copëza karrote, hudhrash dhe ullinjsh.

Në një pjatë të madhe hidhni kokrrat e piperit të kuq, kripës së trashë dhe rigonit. Kalojeni mishin në këtë pjatë në të gjitha anët dhe vendoseni në tavë.

Vendosni në pjesën anësore të tavës qepën e ndarë në dysh, hudhrat e mbetura, karrotën e mbetur, kumbullat e thata, ullinjtë e mbetur. Kofshën mbulojeni me rozmarinë dhe dafinë. Lageni me vaj ulliri.

Futeni në furrë të ventiluar në temperaturë 180 gradë Celcius ose në furrë normale të ndezur si sipër, ashtu edhe poshtë me temperaturë 200 gradë Celcius.

Sapo kofsha të marrë faqe, kthejeni në anën tjetër dhe lageni me verë të bardhë. Gjatë pjekjes çpojeni shpesh pirun që pjekja të hyjë në thellësi të mishit.

Kjo lloj pjekje mund të zgjasë nga 4 deri në 5 orë, por në fund rezultati do të jetë i jashtëzakonshëm.