Kekët e vegjël “madaleine” kanë shumë legjenda, ama në mëngjes shijojnë

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

E bukura e ëmbëlsirave të traditës, është se për to mund të lexosh pafund, burime historike, letrare, gojëdhana. Për kekët e vegjël “Madaleine” në internet mund të gjesh kaq shumë histori e kombinime të ndryshme recetash, sa të kalosh një fundjajavë të tërë duke lexuar (apo shumë më tepër nëse do t’i futesh edhe “Në kërkim të kohës së humbur të Marsel Proust, që i citon në libër ëmbëlsirat e vogla me formën e guackave). Ama për të gatuar variantin që bëra unë, të duhet më pak sesa një orë dhe mëngjeset e fundjavës mund t’i kalosh me një ëmbëlsi të lehtë fare, siç dinë ta bëjnë vetëm francezët. Gjithë ç‘të duhet është të blesh më përpara formën, për të mos humbur kohë në kërkime ju rrëfej që është “Tescoma”, marka e njohur e pajisjeve të kuzhinës e pranishme në shumë dyqane në Shqipëri (unë e gjej thjeshtë tek dyqani Voila, pranë LSI). Dhe për të shmangur pyetjet e mëtejshme: Po, forma duhet patjetër, ndryshe nuk quhet “Madaleine”. Sepse nuk është as kek, as petull, as biskotë: ështe madaleine, forma e guackës nuk të lë të ngatërrohesh.

Unë kam gatuar variantin me mjaltë trumze dhe lëkurë limoni. Por ka dhe shumë kombinime të tjera, që besoj se do t’i provoj shumë shpejt. Ka një shije delikate dhe thjesht të përsosur.

Përbërësit:

140 gr miell; 3 vezë të mëdha; lëkura e grirë e një limoni; pak kripë; 2 lugë mjaltë trumëze; 125 gr gjalpë i freskët; sheqer pluhur.

 

Përgatitja:

Nxeheni furrën në në 200 gradë celcius. Lyeni me pak gjalpë të shkrirë format.

Siteni miellin.

Rrihni vezët bashkë me lëkurën e limonit me rrahës elektrik, derisa kremi të zbardhet dhe të trashet. Spërkateni me pak kripë, shtoni mjaltin dhe rriheni sërish derisa të bëhet si krem.

Hidhni ngadalë miellin dhe më pas gjalpin. Shpërndajeni brumin me lugë nëpër forma. Piqeni për 15-20 minuta, sa të marrin ngjyrë të arttë, ose bëni provën me krruajtëse dhëmbësh.

Lërëni të ftohet për rreth 15 minuta. Pastaj nxirrini ëmbëlsirat nga format, spërkatini me sheqer pluhur.