Kek me qershi “Mon Cheri”

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

E di, e teprova. Por do të vijoj ëmbëlsirat me qershi, derisa të mos shoh me kokrrat e kuqe tek dyqani poshtë pallatit tim.

Për këtë kek jam jashtëzakonisht krenare sepse recetën nuk e kam marrë askund. Domethënë duhet të kem marrë diku recetën e kekut klasik me çokollatë, që e kam mësuar përmendësh dhe e bëj herë pas here, sidomos në dimër. Ajo që “shpika” kësaj radhe, është që kekut tim të preferuar, i shtova frutin e preferuar, qershinë. Ndoshta herës tjetër do e provoj dhe me pak alkool, besoj se do ngjajë me çokollatat “mon cheri” (absolutisht më të preferuarat për mua).

 

Përbërësit200 gr miell

150 gr sheqer pluhur

150 gr gjalp, në temperaturë ambienti

2 vezë

50 gram kakao e hidhur

8 gr pluhur fryrës për ëmbëlsira

Qershi, sa t’ju duket e arsyeshme, me bërthama të hequra

Përgatitja

  • Përziejmë mirë derisa të bëhen krem gjalpin dhe sheqerin me rrahësin elektrik
  • Shtojmë dy vezët
  • Shtojmë me sitë miellin dhe pluhurin fryrës, pasi i rrrahim shtojmë dhe kakaon dhe pasi i rrahim shtojmë qershitë.
  • Në formën e lyer me gjalp dhe miell shtojmë një shtresë qershish dhe mbi to hedhim brumin
  • E pjekim për rreth 40 – 45 minuta në furrën e ngrohur më parë në 180 gradë.