Karrotat nuk kanë qenë kurrë më pak dietike se në këtë ëmbëlsirë

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Për vite me radhë i kam rezistuar kekut me karrota dhe nuk kam pranuar ta gatuaj ose porosis kur e shihja në menu restorantesh: në trurin tim janë dy gjëra që nuk shkojnë, karrotat janë për dietë, kurse ëmbëlsirat për qejf (ndaj në këtë faqe rrallë do të gjeni gjëra “të shëndetshme”, do të ndodhë hataja kur unë të heq dorë nga shija). Por qëkur mikesha ime Enejda më prezantoi me kekun e saj me karrota ndrrova mendim: një shtresë kremi e bardhë në kekun e saj, bërë me mascarpone dhe sheqer pluhur, kishte dhënë shumë shije. Ndaj vendosa ta provoj edhe unë kekun  e karrotave.

Meqë kisha dëshirë të luaja me format, një pjesë të brumit e vendosa në formën drejtëkëndore, tjetrën e bëra ca cupcake-s, që gjithashtu i lezetova sipër me pak krem. Për ta bërë mëkatin më të ëmbël, e ndava kekun në mënyrë horizontale dhe i shtova gjithashtu një shtresë kremi dhe arrash të grira në mes. Tanimë jam e sigurt: karrotat mund të jenë po aq jodietike dhe të shijshme sa çdo gjë tjetër.

Përbërësit

Për brumin: 500 gr karrota: 440 gr miell, një lugë kafeje sodë buke; një lugë kafeje kanellë; dy grushte arra të qëruara dhe të grira për brumin dhe ca të tjera për dekorimin; 300 gr sheqer kaf; 4 vezë; lëkura e një portokalli e grirë hollë; 300 ml vaj vegjetal.

Për kremin: 250 g djathë “Philadelphia”; 250 g “Maskarpone”; 350 g pana për ëmbëlsira, e ftohtë nga frigoriferi; 120 g sheqer pluhur; 1 bustinë vanilje.

Përgatitja

Ndizni furrën e sobës në 180 gradë celcius dhe lyeni enën ku do piqni kekun me pak vaj dhe spërkateni me miell.

Qëroni karrotat dhe grijini hollë. Sitni miellin, shtojini sodën dhe kanellën.

Në një tas rrihni vezët me sheqerin, shtoni lëkurën e portokallit dhe përziejini me rrahësin elektrik për 3 minuta. Hidhni pak nga pak vajin, ndërsa vazhdoni rrahjen pastaj shtoni karrotat, përzierjen e miellit dhe arrat. Vendoseni në formë dhe piqeni për 25-30 minuta. Eshtë gati kur fusni në të një krruajtëse dhëmbësh dhe ajo del e pastër. Pas pjekjes lëreni të ftohet.

Për të përgatitur kremin në një tas ose robot kuzhine përziejmë “Philadelphia”-n me “Mascarpone”-n, derisa të bëhen si krem. Shtojmë më pas sheqerin pluhur, vaniljen dhe vazhdojmë t’i përziejmë. Në një tas tjetër rrahim me rrahësen elektrike panën e ftohtë. E shtojmë më pas tek tasi i kremit, duke e përzjerë me spatul, nga poshtë lart.

E presim kekun në feta horizontalisht, një ose më shumë, dhe e lyejmë me krem. I hedhim nga një shtresë arrash. E lyejmë të gjithin dhe nga jashtë dhe e dekorojmë sipër me arra të grira.