Groshë me pançetë dhe salçiçe të thatë/ Ça t’hash!

6 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Një nga kënaqësitë e verës apo vjeshtës është, kur moti prishet, qoftë edhe për pak orë, freskohet ndjeshëm, vranësirat ia zënë vendin diellit zhurritës, ndërsa unë rend të bëjë ca groshë jashtë sezonit. Kur janë ende të nxehta, i shoqëron me turshi kastravecash, qepë të njomë a të thatë, do dromza djathë të bardhë dhie, bukë misri ose të zezë të thekrruar. Unë nuk e di, por kjo pjatë më shkakton një farë ngazëllimi, kurse në qelqe bëjnë potere sumbullat e mëdha të shiut që përplasen e thyejnë kokën.

Ushqimi, sipas meje në këtë mënyrë është një poezi epike që mund të shoqërojë bëmat e Mujit dhe Halilit, mitet e toskërisë së vrazhdë, rrëfenjat e moçme shqiptare dhe gjymat e shiut marrin vrrull, janë gati të thyejnë parathirren, pasi vdesin që të hyjnë drejt e brenda në odën, ku vlon grosha. Ti e vështron me një shikim të ftohtë si gotëza e rakisë që ke vënë përpara dhe shfryn: “Ça t’hash!”.

Kjo është simbolika e jetës së thjeshtë, pas së cilës fshihet një fjalë e vetme, “lumturia”. Nuk ka harbim qejfesh, tollovi vesesh që të të japë këtë paqe përdëllyese, të cilës më poshtë po i paraqes recetën, kurse motin e vranët dhe rebeshin gjejeni vetë, ju kam rixha.

Përbërësit:

Fasule të bardha ose më mirë akoma të përziera, të gjitha llojet – 0.5 kilogram

Dy kokrra të vogla qepe – një e bardhë dhe një e kuqe

Një thelbi i madh hudhre

Kripë

Një fije selino

Spec djegës – dy copë

Pançetë – një fije e prerë jo shumë hollë ose nga ato të gatshmet me kubikë

Salçiçe e thatë – një copë

Një dado bimore ose një lugë gjelle lëng bimor të parapërgatitur, të cilën e ke ngrirë në frigorifer

Vaj ulliri – gjysëm filxhani çaji

Verë të kuqe – gjysëm filxhani çaji

Një lugë salcë domateje koncetrat

Përgatitja:

Fillimisht fasulet i ziejmë në një tenxhere me presion, vetëm me ujë pa i hedhur kripë. Pasi i ziejmë i lëmë në një enë që të ftohen.

 

Në një tenxhere hedhim vajin e ullirit, pançetën dhe salçiçen e thatë të prera në kubikë. Pasi i kavardisim bashkë sa të marrin një gjyrë të zbehtë, shtijmë specin djegës, qepën e kuqe e të bardhë të prera hollë. Shtojmë kripën dhe bashkë me të, hudhrën e shtypur, fijen e selinosë të prerë imët. Më pas dadon ose një lugë gjelle lëng bimor të parapërgatitur, të cilën e kemi ngrirë më parë në frigorifer.

I kavardisim dhe më pas derdhim filxhanin e verës sa për t’i dhënë aromën. E lëmë sa vera të nxjerrë alkolin dhe shtojmë lugën me koncetratin e domates. I lëmë vetëm një minutë në zjarr dhe shtojmë groshën e zier. E mbulojmë enën me një kapak dhe e lëmë të vlojë në qejf të vet me zjarr tejet të ngadaltë për gjysëm ore.

Më pas shkon për së mbari që të gjithë gjellën ta hedhësh në një tavë balte e ta fusësh nja gjysëm ore në furrë në një temperaturë 200 gradë.

Shënim: Bëj kujdes, nëse e do të lëngët hidhi herë pas here pak ujë, përndryshe lëre të trashë ashtu si ia ka ënda gotës së rakisë… dhe mos kurse, hidhi në pjatë një lot vaj ulliri, se bëhet akoma më e shijshme.