Kujtim Gjuzi ma solli këto kohë ndër mend këtë peshk të jashtëzakonshëm që ka qenë ushqimi i mbretërve pellazgë. Referencat historike të Kujtimit janë të pakundërshtueshme.
Prandaj, më ndodhi të bëja një zbulim; këtë vit gjuhëza gjendet pak me vështirësi. Ka gjasë të jetë trembur nga reformat e qeverisë ose bllokimet e rrugëve detare prej lundërtarëve të Lulit.
Nejse, më në fund gjeta gjuhëz dhe ma pastruan e ma bënë gati.
Tani halli është si do e bëjmë?
Përbërësit:
Peshk gjuhëz (700 gramë)
Gjalpë (30 gramë)
Vaj ulliri
Majdanoz (1 tufë)
Limon (1 kokërr)
Verë e bardhë (1 gotë uji)
Miell
Kripë
Përgatitja:
Copat e gjuhëzës i lajmë dhe i thajmë me letër kuzhine. Pastaj i kalojmë në pjatën me miell në të dyja anët. Në një tigan shkrijmë gjalpin dhe shtojmë një lot vaj ulliri. Vendosim copat e gjuhëzës dhe i skuqim në të dyja anët. Pastaj shtrydhim limonin dhe lëngun e tij e bashkojmë me verën e bardhë. I shuajmë gjuzat dhe me zjarr shumë të ngadaltë presim derisa të avullojë alkoli ee të krijohet një lëng kremoz. Fikim zjarrin dhe hedhim majdanozin e prerë hollë.
E shërbejmë me një gotë verë të bardhë dhe ndalemi për një çast të mendojmë sa të zotë kanë qenë pellazgët që na e trashëguan këtë lloj peshku.