Fileto në kripë, në mënyrë që Rozmarina mos të ketë vetëm hallin e gjermanit të fundit

3 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Meqë Iva Tiço këtë periudhë po merret me rehabilitimin e gjermanit të fundit, kurse vetë po shkruaja një libër për Di Himën e hideve, Rozmarina mbeti në dorë të krostatave, të cilat sido që t’i rrotullosh krostatë mbeten.

Ndaj, sot u ngrita që me natë dhe u mora seriozisht me kusitë e tavat që kishin zënë ndryshk nga harresa.

Fillimisht, bëra një fileto në kripë, e cila u përpi për pesë minuta nga hamësit, me të cilët jetoj.

Nuk dua të krenohem, por e kisha qarë me lot sa shijuesit e saj vendosën të më bëjnë një monument me përmasa reale prej akulli. Por, meqë ishte zagushi, kjo vepër arti u bë ujë.

Përbërësit:

Fileto gici (1 kilogramë)

Karrotë (çerek cope)

Hudhër (tre thelpinj)

Rozmarinë (1 fije)

Sherebelë (1 fije)

Kripë deti e zezë (2 kilogramë)

Vaj ulliri (1 lot)

Përgatitja:

Fileton e mishit e mbushim me copëza të vogla karroteje dhe hudhra. Kjo bëhet thjeshtë; e çpojmë mishin me thikë dhe ngjeshim copëzat që i kemi përgatitur më parë.

Hedhim në një tavë qelqi shtratin e kripës. Vendosim mishin e mbushur. I vendosim përsipër fijet e rozmarinës dhe sherebelës.

E mbulojmë me kripë dhe e shtijmë në furrë të ventiluar me temperaturën 200 gradë. E lemë gjysëm ore. Më pas e lëmë jashtë që të ftohet. Thyejmë kripën dhe copën e mishin e pastrojmë mirë e mirë me një furçe kuzhine.

Fileton e presim hollë dhe e vendosim në një pjatancë. E lagim me një lot vaj ulliri dhe e shërbejmë për të pangrënët e shtëpisë.

Bëjmë një tufë me foto që Iva t’ia tregojë gjermanit të fundit.