Ëmbëlsira ime më e dashur? Padyshim tarta e “Të dielës shqiptare”

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Nuk e kisha menduar kurrë që një ëmbëlsirë e thjeshtë mund të të ndryshojë kaq gjëra në jetë. Gati një vit më parë, një pasdite të diele, kur isha zgjuar mahmur nga gjumi i pasdites në divan Ardit Gjebrea më ftoi të bëhesha pjesë e programit të tij aq popullor, në rubrikën ku personazhe të njohur shkojnë në shtëpitë e njëri tjetrit për drekë. Dhe ai emision nuk qe si ata dhjetëra të tjerë ku kam marrë pjesë, jo thjesht për shkak të impenjimit për të bërë pazar, për të gatuar e për t’u xhiruar edhe si mysafire në dy dreka të tjera, por ishte totalisht i veçantë për shkak të impaktit që pati tek njerëzit. Ende sot e kësaj dite ndonjë zonjë më pyet se ku e kam blerë tenxheren e qeramikës, me të cilën mishin pasi e kisha gatuar në sobë e futa dhe në furrë (tek Coin Casa), pjatat dhe supjerën (tek Villeroy and Boch) dhe ndokush tjetër sërish më kërkon recetën e ëmbëlsirës. Deri atë ditë kisha postuar tek tuk në rrjetet e mia sociale ndonjë gatim ose ëmbëlsirë, pak më rrallë recetën apo përbërësit. Por qe pikërisht ajo ëmbëlsirë e ndarë në rrjet pas emisionit, që shërbeu si ogur i mirë për çeljen e këtij blogu pak kohë më vonë: kur pashë sa shumë njerëz e kishin ruajtur atë foto, poshtë së cilës kisha shkruar thjesht përbërësit, kuptova se ata që më ndiqnin në rrjetet sociale kishte dhe të tjera gjëra që pëlqenin tek unë, përtej personazhit të gazetarës. Dhe kështu erdhëm tek Rozmarina…

Meqë një zonjë para disa ditësh më shkroi se nuk po e gjente “ëmbëlsirën e Arditit” në blog u kujtova për padrejtësinë që i kam bërë kësaj tarte: duhej të ishte e para e botuar në këtë blog. Por më mirë vonë sesa kurrë, po e ndaj tani, në njëvjetorin e asaj pasditeje, kur Gjebra me nxori atë gjendjen e gjumit të pasdites me ftesën për të qenë pjesë e një emisoni që do të më ndryshonte kaq shumë gjëra… Nuk e kam falënderuar kurrë sa duhet, për kaq shumë ëmbëlsi sa më ndolli.

 

Përbërësit për tartën

Për brumin: 115 gr gjalpë pa kripë në temperaturë ambienti, 150 gr miell 00; një lugë gjelle sheqer kaf, pak kripë, një luge gjelle uthull molle.

Për kremin: 500 ml qumësht, tre të verdha veze, 100 gr sheqer, 15 gr gjalpë, tre lugë gjelle niseshte.

Për dekor: ribes, borronica, luleshtrydhe.

 

Përgatitja

Në një tas përziejmë me rrahësen elektrike gjalpin dhe sheqerin, vazhdojme rrahjen duke shtuar uthullën e mollës dhe kripën.

Shtojmë miellin dhe e punojmë me dorë derisa të formohet brumë që shqitet nga duart. E mbështjellim me qese kuzhinë dhe e lëmë një orë të pushojë në frigorifer.

Nxehim furrën e sobës në 175 gradë celcius.

E hapim brumin në formën e tartës, e mbulojmë me letër kuzhine dhe shtojmë mbi të fasule ose gurë të vegjël dekorativë. Kjo shërben që tarta të mos fryhet. E pjekim për një gjysmë ore ose edhe më shumë, sa të marrë ngjyrë të artë.

Në një tenxhere përziejmë qumështin, tre të verdhat e vezëve, sheqerin, gjalpin dhe niseshtenë. E vendosim në sobë në zjarr mesatar dhe e përziejmë gjatë gjithë kohës, që të mos krijohen kokrra. Kur përzierja nis të vlojë dhe është trashur e heqim dhe e lëmë mënjanë të ftohet.

Kur të jetë ftohur, por jo plotësisht, e hedhim kremin mbi tartën e pjekur dhe e lëmë të fttohet. Në fund fare e zbukurojmë me frutat. Mund t’i shtojmë dhe sheqer pluhur.