Edhe brownie, edhe redvelvet edhe cheese cake (e ç’do më nga jeta?!)

4 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Meqë kishim bërë pak pushim nga pjekja e ëmbëlsirave në shtëpi (por jo nga ëmbëlsirat vetë), duhej diçka pak më e mirë e më e veçantë se zakonisht për të rihapur sezonin e pjekjes. E zgjodha edhe të kuqe, edhe me çokollatë, por edhe me kremin e djathit, që të mos futem zyrtarisht në vjeshtë, por të mbetem me një këmbë në stinën e ngrohtë. Për fat, në shtëpinë e miqve ku isha e ftuar të premten në mbremje, kishin blerë akullore që shkonte në mënyrë perfekte me ëmbëlsirën. Kështu fundjava e parë në qytet pas verës me aq shumë lëvizje ishte shumë e ëmbël, plot shije dhe një nisje e mbarë për shumë të tilla në muajt e ardhshëm.

Embëlsira me tre emra është vërtetë e thjeshtë, shumë më e thjeshtë se një tortë red velvet dhe lëshon një aromë të mrekullueshme. Nga gjithë përbërësit më me merak kam vetëm që gjalpi të jetë  i mirë (në asnjë mënyrë i shkrirë apo i papërpunuar, tashmë e dini vetë), kakao e hidhur dhe po gjetët bojë të kuqe. Përndryshe do duhet të hiqni dorë nga ngjyra e kuqe dhe ta lini thjesht brownie. Por kështu do të humbi gjithë pamjen e bukur dhe admirimin e njerëzve që do ta provojnë.

Përbërësit:

115 gram gjalpë në temperaturë ambienti; 3 lugë gjelle kakao e hidhur; një çerek luge çaji kripë; 175 gramë sheqer; 2 veze të mëdha; gjysmë lugë çaji vanilje; gjysmë luge çaji uthull molle; rreth 2 lugë çaji ngjyrues ushqimor; 95 gr miell.

Për shtresën e kremit të djathit:

225 gr krem djathi (unë përdora Philadelphia); 50 gr sheqer; një vezë e madhe; gjysmë luge çaji vanilje.

 

Përgatitja:

Rrihni në mikserin elektrik gjalpin dhe sheqerin derisa të bëhen krem. Shtoni një nga një vezët dhe uthullën dhe rrihini.

Bëni bashkë miellin, bojën dhe kakaon. Hidhini lugë lugë në mikser dhe rrihini derisa të bëhet brumë.

Hiqni mënjanë një të tretën e brumit dhe pjesën tjetër shtrojeni në një tavë të veshur me letër kuzhine dhe të lyer me gjalpë. Në një tas perzieni kremin e djathit me sheqerin, shtoni vezën dhe rrihini derisa të bëhen krem

Vendoseni kremin e djathit mbi brumin e shtruar në tavë me lugë. Bëni të njëjtën gjë me pjesën e mbetur të brumit të kuq. Me ndihmën e një thike përziejini nga pak derisa të krijohet një efekt mermer (unë nga frika se mos e përzieja shumë dhe e bëja njësh, e kam përzierë më pak sesa duhet).

Piqeni në furrën e ngrohur më parë në 180 gradë për 25-30 minuta, bëni provën me krruajtëse dhëmbësh për të kuptuar nëse është pjekur plotësisht.