Kjo është një nga ëmbëlsirat me të cilën kam pasur më shumë sukses në darkat e miqve. Si gjithë recetat me çokollatë edhe ky kek i bën të gjithë për vete, plus kremi me djathë Pliladelphia dhe shija e athët e borronicave e bëjnë më të veçantë se të gjitha ëmbëlsirat e tjera. Për ata që ndryshe nga unë këtë janar vijojnë të hanë të ëmbla (unë po mundohem ta mbaj veten dhe nuk po gatuaj të tilla, sepse për Vit të Ri kam thyer rekord në ngrënie bakllavaje), ose nëse ju ftojnë në një darkë famijare, ju këshilloj të shkoni atje me këtë ëmbëlsirë në dorë. Unë e provova për herë të parë janarin e shkuar në një mbrëmje miqsh në shtëpinë e Turjan Hyskës dhe Orinda Hutës dhe prej asaj dite kam fituar besimin e çiftit dhe të miqve të tjerë që bëj ëmbëlsira të mira dhe të veçanta (sekreti sërish është libri i Sadije Berishës, që mund ta gjeni në librarinë Adrion).
Përbërësit janë në decilitër, pra duhet një enë e milimetruar (një nga pyetjet më të shpeshta në inbox) dhe sigurisht që ndalohet margarina në vend të gjalpit. Gjalpi i cilësisë së mirë dhe ndjekja e përpiktë e recetës janë të vetmet gjëra që nevojiten bërë për të bërë ëmbëlsira të shijshme.
Përbërësit
300 gr çokollatë e zezë, që ka në përmbajtje minimalisht 65 përqind kakao; 200 gr gjalpë; 2 decilitër sheqer; 4 kokrra vezë; 3.5 decilitër miell; 1 lugë çaji me vanilje; një majë lugë kripë.
Për kremin:
200 gr djathë Philadelphia; 0.5 decilitër sheqer; 1 vezë; 2 lugë gjelle miell, 2 decilitër borronica të freskëta ose të ngrira.
Përgatitja
Lyhet tava me gjalpë dhe pudroset me miell. Ngrohim dhe furrën paraprakisht në 175 gradë celcius.
Shkrijmë cokollatën dhe gjalpin. Në një tas përziejmë sheqerin me vezët. Shtohet çokollata dhe gjalpi i shkrirë. Hidhet mielli dhe vanilja dhe rrihen me telin e kuzhinës për disa minuta.
Në një tas të veçantë hidhen përbërësit për kremin e djathit dhe përzihen mirë.
Në fillim në tavën e pjekjes hidhet brumi me çokollatë. Mbi të kremi i djathit dhe e përziejmë pak me majën e thikës dhe mbi të kokrrat e borronicës që i shtypim nga pak.
Piqet në furrë rreth 20 minuta.