E zgjodha këtë variant keku me krem djathi (cheese-cake) sepse në librin amerikan, ku mora recetën, thuhej se varianti me pjekje mund të ruhet më gjatë në frigorifer. Dhe meqënëse unë them se jam nga ato që gjithmonë di të ndalem me një copë, mendova se do më duhej ta mbaja në frigorifer për nja tre ditë të mira. Si përfundim ky kek arriti të jetonte plot tre orë, jashtë frigoriferit. Edhe im vëlla, që nuk ha kurrë ëmbëlsira, më ndihmoi në mënyrë të ndjeshme në asgjesimin e tij, dy shoqe të miat pastaj bënë punën tjetër. Të gjithë u justifikuam se nuk kishte shumë sheqer dhe se çfarë kishte një shije që të bënte për vete… Sheqer vërtetë nuk ka shumë, dhe atë që ka, e ka integral (mesa lexova, më pak i dëmshëm, por për këtë do të flas në një postim tjetër), kurse ajo shija e veçantë është lëngu dhe lëkura e limonit brenda kremit të djathit. Për më tej, receta:
Përbërësit
75 gr gjalpë pa kripë, edhe pak më shumë për të lyer tavën; 150 gram biskota dixhestive.
Për mbushjen: 500 gr krem djathi (unë përdora marscarpone), 120 ml pana e lëngshme në temperaturë ambienti; 150 gr sheqer integral; pak vanilje; një majë luge kripë; lëkura e një gjysme limoni; lëngu i një gjysme limoni; 2 vezë.
Për salcën
400 gr luleshtrydhe; një lugë gjelle lëng limoni; një lugë gjelle sheqer integral; 4 lugë reçel luleshtrydheje. (Sipas shijes mund të përdorni dhe fruta apo shije të tjera).
Pajisje që duhen:
Një tavë me borde të lëvizshme me diametër 20 cm. Unë kam përdorur një të firmës Tescoma, në formë zemre.
Përgatitja:
Ngroheni furrën në 180 gradë celcius. Visheni tavën me letër kuzhine dhe lyheni me pak gjalpë (tava e Tescoma-s nuk ngjit, kështu që këto hapa nuk janë të nevojshme).
Grini imët biskotat. Shkrini gjalpin dhe hidheni tek biskotat dhe trazojini derisa të bëhen si brumë. Vendosini në tavë dhe shtypini me lugë. Piqeni për 10 minuta dhe pastaj lëreni të ftohet.
Në një tas përzieni me rrahësen e kekut me dorë kremin e djathit, panën, sheqerin, vaniljen, kripën, lëngun e lëkurën e limonit dhe trazojini derisa të bëhet një masë kompakt., Shtoni vezët një e nga një dhe përziejini mirë
Visheni mirë tavën ku është biskota e pjekur me letër alumini, hidhni mbi biskotë mbushjen e djathit dhe vendoseni brenda një tave më të madhe, të cilën pastaj do ta mbushni me ujë të paktën deri në gjysmën e lartësisë së tavës së kekut.
Piqeni për 45-50 minuta, derisa keku të jetë mpiksur. Fikeni sobën dhe lëreni dhe një gjysmë ore që të ftohet brenda furrës, në këtë mënyrë nuk do i prishet forma. Pastaj lëreni të ftohet plotësisht, përpara se ta fusni në frigorifer, ku duhet të rrijë së paku katër orë para se të shërbehet.
Për salcën e luleshtrydheve, marinoni luleshtrydhet e prera në feta të holla me sheqerin dhe lëngun e limonit dhe lërini një gjysmë ore. Ngrohni në zjarr të ngadaltë reçelin e luleshtrydheve dhe pastaj hidhni mbi të luleshtrydhet e marinuara. Lërini të ftohen të gjitha bashkë dhe pastaj hidheni salcën mbi cheesecake. Mund ta mbani në frigorifer tre ditë, por mund ta asgjesoni dhe brenda tre orëve.