Të mbash një dietë, ku nuk lejohen brumrat dhe sheqernat është dyfish e vështirë për ne shqiptarët, pasi jo vetëm nuk jemi mësuar t’i shpiem vaktet poshtë pa i shoqëruar me bukë, por edhe sepse në përgjithësi edhe kur duam të themi që do hamë, ne themi “do ha bukë”. Disa herë gjatë dietës 10 ditore që bëra, më kapën duke thënë “hamë bukë”, që më duhej ta korrigjoja direkt që ishte thjesht një mënyrë të thëni, sepse në fakt ia dola që për të parën herë në jetë të qëndroja dhjetë ditë pa ngrënë asnjë thërrime. Uria nuk është se më mori, ama nepsi qe i jashtëzakonshëm. Dhe në në fund, më bëri ta çmoja njëqind fish shijen e asaj që ne jemi mësuar të mos na mungojë asnjë ditë, por që e trajtojmë sikur është gjëja më e thjeshtë në botë e që e blejmë në një mënyrë rutinore tek dyqani poshtë pallatit: bukës. Jo, tashmë meriton që ta trajtoj me rrespektin maksimal, ndaj ia vlen edhe herë pas here ta përkëdhel pak veten me pak bukë të gatuar në shtëpi. Gjithmonë më pëlqen kur në restorantet e mira vjen koshi me ato bukët e vogla me shije të ndryshme. Si për herë të parë (meqë ende nuk isha e sigurt që mund të arrija ta bëja, s’di pse më dukej e vështirë por mund t’u bëka symbyllur), e ndava brumin në dy pjesë, njërit brumë i shtova një dorë arrash të grira e qëruara, tjetrit pasi e lyeva sipër me furçë me pak vaj ulliri, i shtova pak rozmarinë të freskët dhe kripë Himalaje. Meqë hera e parë ishte thjesht fantastike, prisni që herë pas here të shihni të tilla postime në këtë faqe.
Përbërësit: 500 gr miell integral; një lugë kafeje me sheqer; 280 gr ujë të vakët; 1 degëz rozmarinë; 1 grusht arra; 8 gr kripë; 25 gr maja birre të freskët; 4 lugë gjelle vaj ulliri.
Përgatitja: Tresim majanë në ujin e vakët bashkë me sheqerin dhe e përziejmë derisa të jetë tretur plotësisht. E hedhim tek mielli, ku shtojmë kripën, vajin e ullirit dhe i punojmë me dorë derisa të bëhet brumë. E vendosim brumin në një enë dhe e mbulojmë me një pecetë të lagur dhe e lëmë për dy orë, derisa masa të dyfishohet.
Pasi të ketë pushuar e punojmë sërish. E ndajmë në pjesët që duam për përbërësit e ndryshëm dhe japim me dorë format e dëshiruara.
I pjekim bukët në furrën e ngrohur më parë në 250 gradë për 10-15 minuta.