Brinjë viçi që shkrihen në gojë, por që duan durim kinezi

4 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Kur shkon nëpër restorantet e rrethinave të Tiranës, veçanërisht atyre të Dajtit, brinjët e viçit në furrë janë një pjatë që të lë pa mend.

Ndaj, e ndava mendjen t’i hyj kësaj aventure dhe u përpoqa t’i bëjë vetë në shtëpi. Megjithëse shija ishte e përsosur më duhet të them që sërish do të iki t’i ha në këmbë të Dajtit, pasi duhet ta kesh kohën me bujari, në mënyrë që ta shpenzosh në kësi gatimesh.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë vështirësi të madhe, përkundrazi, por për orë të tëra pjekjeje. Mua prova e parë më vajti 15 orë, sepse 12 orëshi me 100 gradë nuk doli, jo më të teprojë.

Përbërësit

Brinjë viçi (1.5 kilogramë)

Kumbulla të thata (5 copë pa bërthamë)

Vaj ulliri (250 gramë)

Hudhër (4 thelpinj të mëdhenj)

Rozmarinë (2 fije të plota)

Dafinë (4 gjethe te mëdha)

Piper i zi kokërr

Sherebel (1 fije)

Verë e kuqe (1 filxhan çaji)

Kripë

Përgatitja

Të gjithë përbërësit i futim në një mikser (përveç kripës) dhe krijojmë një lloj salce, e cila ka një aromë marramendëse (megjithëse vera e avullon alkolin, besimtarët myslimanë mund ta bëjnë patë, mjafton t’i hedhin dy pika uthull).

Në një tavë shtrojmë letër kuzhine dhe në të vendosim brinjët e viçit të paprera, pra të lidhura me sho-shoqen.

I marinojmë të dyja krahët e brinjëve me lëngun e krijuar nga përzierja.

Po me letër kuzhine i mbulojmë brinjët. I fusim në një furrë të ventiluar me 120 gradë nxehtësi. I lëmë 10 deri në 12 orë.

Heqim letrën e sipërme të kuzhinës. Brinjët e viçit i ndajmë me një thikë mishi dhe tani i hedhim kripën. Pastaj i rifusim në furrë që të marrin faqe me 180-200 gradë celcius.

Në fund mund të themi me plot gojën: “Ça t’hash!”.