Brinjë derri në limon

3 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Sekreti i kësaj recete qëndron në dy përbërës; limoni dhe rigoni. Megjithëse në fund brinjët do të gatuhen me patate, shija e vërtetë mbetet gjetkë.

Kjo është një pjatë tipike për ditën e djelë dhe rekomandohet të kthehet në mëkat duke çelur disa shishe verë të kuqe.

Përbërësit:

Brinjë derri (1 kilogramë ose më shumë, sepse varet sa keni të ftuar)

Limon (2 kokrra të mëdha ose 3 të vegjël)

Patate (4 kokrra të mëdha)

Hudhër (4 thelpinj)

Rigon

Vaj ulliri

Kripë

Përgatitja:

Kokrrat e limonit i shtrydhim dhe lëngun e tyre e hedhim në një tavë. Shtojmë hudhrat. Brinjët e derrit i vendosim në tavë dhe i spërkasim me rigon. I mbulojmë me qese kuzhine dhe i lëmë të pushojnë për një orë. Më pas i kthejmë në krahun tjetër dhe i lëmë sërish të pushojnë mbuluar me qese kuzhine.

Në një tavë presim patatet kubikë, vendosim brinjët e marinuara. Derdhim mbi to lëngun e limonit. I spërkasim me vaj ulliri dhe një dorë tjetër rigon. I fusim në furrë të ventiluar për 50 minuta-1 orë në 220 gradë Celcius.

Të tjerat i dini vetë.