Besoni ose jo që Babagjyshi vjen nëpër shtëpitë tuaja për të lënë dhurata dhe për të ngrënë biskotat, kjo nuk ka ndonjë rëndësi. Babagjyshi është një pretekst i mirë për të ndezur edhe njëherë furrën e për të pjekur biskotat për të (që sigurisht mund t’i hani vetë). Jo më kot kam zgjedhur një recetë skandinave, sepse ata duke qënë më afët Polit të Veriut, duhet ta dinë më mirë se çfarë preferon Babagjyshi. Por edhe sepse bëjnë bashkë gjithë erëzat e festave, të cilat po i përdorim që në nëntor. Ndaj le ta provojmë për herë të fundit këtë vit dhe pastaj ju premtoj që deri në nëntorin tjetër, do bëjmë pushim nga xhenxhefili (jo nga kardamomi, se tani që e zbulova nuk i ndahem më).
Përbërësit
275 gr miell, tipi 00 (unë kam zgjedhur atë të Teuta dhe biskotat ngelin të freskëta për shumë ditë); gjysmë lugë kafeje sodë buke; gjysmë luge xhenxhefil të bluar; 1 lugë e vogël kanellë e bluar; gjysmë lugë kafeje kardamom pluhur; 1/3 lugë e vogël pluhur “5 erëzat” (shihni postimet e mëparshme për ta bërë vetë nëse nuk e gjeni të gatshme), pak kripë; 75 gr gjalpë; lëkura e grirë e një portokalli bio; 100 ml mjaltë; 50 gr sheqer kaf; 75 gr pana e lëngshme e freskët.
Përgatitja:
Biskotat bëhen më të mira nëse e përgatit brumin në mbrëmje dhe i pjek në mëngjes. Kështu jo vetëm forma bëhet më e bukur, por shtëpia në mëngjes do të marrë një aromë të mrekullueshme.
Bëni bashkë në një tas gjithë përbërësit e thatë: miellin, sodën, gjithë erëzat dhe kripën.
Përzieni mirë në rrahësin elektrik (ose me dorë) gjalpin dhe lëkurën e portokallit, shtoni mjaltin, rrihini mirë dhe pastaj sheqerin dhe panën. Shtoni përbërësit e thatë, punojini derisa të bëhet një brum që ngjit pak në dorë. Mbështilleni me qese kuzhine dhe lëreni në frogorifer gjithë natën (ose së paku tetë orë gjatë ditës).
Ngroheni furrën në 180 gradë. Bëjeni brumin petë të trashë 2-3 mm. Bejini biskotat sipas formave tuaja të preferuara të festave dhe piqini për rreth 10 minuta (sa të nisin të marrin ngjyrë të artë).
Nëse nuk doni t’i ngjyrosni (kjo bëhet pasi të jenë ftohur mirë, unë e kam bërë me bojra të gatshme që i kam blerë jashtë Shqipërisë shumë muaj më parë), mund t’i spërkasni me sheqer pluhur kur janë ende të vakëta. Babagjyshit do t’i pëlqejnë shumë kur të duken si flokë dëbore skandinavë.