Biskota pa gjalpë e pa miell, por shijojnë si Krishtlindjet

4 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

E di që do të të thoni që është shumë shpejt, por dhe unë do ju justifikohem se nuk është tamam tamam Krishtlindje, ka veç agrumet dhe mjaltin, që japin shijen e festave të fundvitit. Pastaj gjithsesi nuk është se jemi shumë larg dhe këtë vit më shumë se kurdo kemi nevojë që shtëpia të jetë e ngrohtë dhe festive.

Përveçse e nisën ca më shpejt sezonin e “shtëpisë me aromë feste”, këto biskota shënojnë dhe një tjetër rekord timin personal: janë të parat dhe të vetmet “gluten free”. Krejtësisht me miell bajameje (pra ca më të shtrenjta) dhe pa gjalpë (siç unë nuk gatuaj kurrë).

Bëhen vërtetë për 10 minuta, vetëm mos bëni gafë të futeni në dush apo të bëni ndonjë punë tjetër ndërsa keni futur tavën në furrë dhe t’ua lini porosi burrave, sepse do ua bëjnë ngjyrën pak më të errët dhe jo “të artë”, siç lashë porosi unë.

 

Për rreth 20 biskota

1 mandarinë apo 1 kokërr lime; 80 gr kajsi të thata; 180 gr miell bajamesh; 110 gr sheqer; 2 të bardha veze; 1 lugë mjaltë; 50 gr sheqer pluhur për t’i pudrosur.

Përgatitja

Grijmë në rende lëkurën e frutit, duke bërë kujdes që të mos e grijmë deri tek pjesa e bardhë, pasi është e hidhur. E bashkojmë me kajsitë e thata, që i presim në copa të vogla. Në një tas bëjmë bashkë miellin e bajameve me sheqerin, i përziejmë mirë me lugë dhe shtojmë aty dhe frutat e grira.

Ndezim sobën në 180 gradë celcius dhe veshim tavën me letër furre.

Rrahim në rrahësin elektrik të bardhat e vezëve bashkë me mjaltin, derisa të bëhet si masë dëbore. Shtojmë pak e nga pak përbërësit e thatë, duke i trazuar lehtë me spatul, në mënyrë që veza të mos e humbasë krejt vëllimin. Me një lugë të vogël marrim brumin dhe e bëjmë si topth, e kalojmë në sheqerin pluhur dhe sistemojmë biskotat në tavë.

I pjekim për rreth 12 – 15 minuta, derisa të jenë në ngjyrë të artë dhe ende pak të buta nga brenda dhe i lëmë të ftohen pak përpara se t’i spërkasim me pjesën tjetër të sheqerit pluhur.