Biskota Krishtlindjesh me ato që keni në shtëpi

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Këtë javë zbulova një mënyrë të mirë për të bërë dhurata, pa dalë  fare nga shtëpia: Mund të përgatisësh biskotat e festave, pastaj t’i paketosh bukur dhe të gjithë të mbeten të kënaqur. Për më tepër, me një recetë të thjeshtë fare, që nuk ka nevojë për përbërës shtesë. Mjafton që në shtëpi  të keni pak mjaltë dhe brenda një ore do të zbuloni sesi kuzhina juaj do të vijë një arome të jashtëzakonshme dhe të nesërmen në zyrë do jeni njeriu më i dashur, sepse koleget tuaja do lumturohen nga një dhuratë e tillë.

Qeset e paketimit unë i kam blerë kohë më parë në Rosman. Kushtojnë fare pak lekë dhe janë me gjithë fjongo dhe pusullë. Format e biskotave te Jumbo (meqë më pyesin të gjithë në inbox). Bashkë me format klasike, këtë vit kishin ardhur edhe vulat, që biskotat tuaja të kenë të stampuara sipër fytyrën e Babagjyshit apo urimin për Festat.  Recetën e gjeta në faqen e Instagramit të Delimano. Nga ato receta që bëhen fare thjesht, madje edhe nga fëmijët.

 

Përbërësit

300 gr miell i tipit 00

150 gr gjalpë në temperaturë ambienti

2 lugë gjelle mjaltë

100 gr sheqer kaf

1 lugë gjelle kanellë

1 lugë çaji vanilje

1 vezë

2 lugë gjelle qumësht

Përgatitja

Në mikser trazojmë gjapin me sheqerin. Shtojmë mjaltin, vezën, qumështin dhe i rrahim. Pastaj shtojmë në masën kremoze vaniljen dhe kanellën dhe në fund miellin. E punojmë derisa të bëhet brumë, pastaj e mbështjellim me qese kuzhine dhe e lëmë një çerek ore në ngrirje.

Brumin e hapim petë rreth 1 cm të trashë mbi tryezën ku kemi shtruar pak miell. U japim biskotave format e dëshiruara dhe i pjekim për 10-15 miunuta në furrën e ngrohur më parë në 175 gradë.