Biftekë me domate dhe rigon që në shqip shijon për vdekje

2 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Pas kërkesave të shumta të lexuesve dhe veçanërisht të “uzurpueses” së faqes rozmarina.al, Iva Tiço vendosa të rikthehem si “pëllumb i shkruar” që pret Skënderbenë.

Nëse nuk keni shumë kohë, nge, nerva po ju propozoj një recetë krejt të lehtë për biftekë viçi që të bën mos ta heqësh nga dora çapën e bukës për ta ngjyer.

Përbërësit:

Biftekë viçi (1 kilogram)

Hudhra (4 thelpinj)

Domate (1 kokërr e madhe)

Rigon

Kripë

Piper i zi

Vaj ulliri (1 filxhan çaji)

Kripë

Përgatitja:

Kjo është pjatë shumë e lehtë për t’u përgatitur, sepse gjithçka nis me furnellat fikur. Biftekët duhet të jenë të prerë pak trashë dhe të parrahur me çekiç druri.

Marrim një tigan dhe hedhim në të bollshëm vaj ulliri. Vendosim biftekët. Hedhim mbi to fetat e hudhrës të prera hollë, rigonin, kripën, piperin e zi. Nëse dëshironi mund ta bëni me dy shtresa, mund të vendosni të tjerë biftekë sipër dhe më pas t’i mbuloni si shtresa e parë. Varet sa njerëz keni për të shtruar në tryezë.

Domaten (mundësisht nga ato të lodhurat, të gjellës) e grijmë me rende. E shtijmë dhe atë sipër biftekëve. Tiganin e mbulojmë dhe e vendosim në zjarr jo të fortë për një orë.

Më pas merrni kafshatën e bukës së ngrohtë dhe mund të hani pa u ndalur.

P.S. Në foto shihni dhe gjethe dafine, por për mua aroma e saj është e tepërt.