Aroma e të dielës mëngjes? Çokollatë, arrë kokosi dhe s’ka më mirë

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Për mua shtëpi prej vërteti është ajo ku vjen era gatim. Një i njohuri im po më tregonte përpara disa ditësh se si i ati nuk i lejon të gatuajnë thuajse asgjë në shtëpi, sepse do që shtëpia të jetë e pastër si muze, madje edhe të jetë e mobiluar në mënyrë minimaliste, pa shumë xhingla, suverire e zbukurime. Epo unë nuk do jetoja dot kurrë në një shtëpi të tillë. Sigurisht, që urrej nëse në apartament më futet ndonjë aromë qoftesh, apo qepe të skuqur që në 7 të mëngjesit nga shtëpitë e fqinjëve, ama e dashuroj shtëpinë kur vjen erën e gatimeve të mia (mendoj që nuk është dhe aq keq aq për hundët e komshinjve J) dhe pas mollës me kanellë, në çfarëdolloj recete qoftë, aroma e dytë që më pëlqen më shumë është ajo e çdo ëmbëlsire, që bëhet me gjalpë e çokollatë. Sidomos herët në mëngjes, kur e para punë që bëhet është futja e kekut në furrë dhe pastaj ndërkohë që ai piqet, bëhen gjithë gjërat e tjera. E diela kështu është dita e përkryer (nëse e bëni të hënën në mëngjes, mund të keni një fillim jave me shije të mirë).

Keku i kësaj të diele, veç çokollatës ka dhe arrë kokosi. Nëse dy brumërat do i kisha përzierë ca më shumë me një thikë, atëherë keku do ishte më i bukur, do kishte formë “lëkurë tigri”. Por meqë e kisha për herë të parë dhe kisha frike mos të dy brumërat bashkoheshin fare dhe keku nuk do arrinte të ruante të ndara të dyja shijet, nuk arrita t’i përzieja sa duhet. Hera e ardhshme do jetë pa diskutim me pamje “më tigër”. Më poshtë wshtw receta dhe mënyra e përgatitjes, masat janë të llogaritura në decilitër, pra për to duhet përdorur enë e milimetruar, që mund të blihet në çdo treg (e ndiej të nevojshëm shpjegimin, për të shmangur në komente pyetjet “çfarë do të thotë 5 decilitër?”).

Përbërësit

75 g gjalpë me kripë

3 kokrra vezë

2.5 decilitra sheqer

1 decilitër qumësht

Një majë luge kripë

1 lucë çaji vanilje

4 decilitra miell

2 lugë çaji sodë bukë

2 lugë çaji kakao e hidhur

1 decilitër arrë kokosi

  • Ngrohet furra paraprakisht në temperaturën 175 gradë celcius.
  • Një një tas rrihet gjalpi me vezët dhe sheqerin, hidhet qumështi dhe përzihen.
  • Në një enë trazojmë miellin, kripën vaniljen dhe sodën e bukës. Kjo masë i bashkohet përzierjes dhe bëhet brume.
  • E ndajmë brumin në dy tasa. Njërës i shtohet kakao dhe përziehet, pjesës tjetër i shtohet gjysma e arrës së kokosit.
  • E lyejmë tavën me gjalpë dhe në vend të miellit për ta pudrosur përdorim arrën e kokosit, që ka mbetur.
  • Fillimisht në tavë hidhet masa e bardhë. Pastaj ajo me çokollatë dhe me një thikë krijohet me kujdes një motiv mes dy përzierjeve.
  • Keku piqet për 35 – 40 minuta, ose edhe më shumë. Eshtë gati kur krruajtësja e dhëmbëve del e pastër.