Teta Vojsava është mami i shoqes sime Joridës. Ndryshe nga shumë mama të tjera për të cilat një ushqim sa më shumë yndyrë, (gjalp apo vaj) të ketë, aq më i mirë është, ajo preferon të mos e teprojë fare. Madje edhe ta shmangë, si në rastin e këtij keku me mollë që nuk ka as gjalpë as vaj, por që teta Vojsava e ka zëvendësuar me mascarpone. Kështu mund të hamë pa na brerë ndërgjegjja se po e teprojmë.
Keku i saj është shumë i thjeshtë për t’u bërë, nuk harxhon aspak kohë dhe mund të jetë një mëngjes mëse i shijshëm për të shoqëruar kafen, përpara se të ikni në punë.
Përbërësit
1 gotë miell
1 gotë sheqer
4 vezë
1 kuti 250 gr mascarpone
1 pluhur kanelle
1 fryrës ëmbëlsirash me aromë vanilje 16gr
4 mollë mesatare
Përgatitja
Rreh vezët me mikser, pastaj hedh sheqerin, pastaj mascerponen, pastaj miellin dhe fryrësen me vanilje dhe vazhdon i përzien të gjitha bashkë në rrahësen elektrike.
Pastaj dy kokrra nga mollët i qëron dhe i pret në kubikë me dorë.
Mollët e grira bashkë me masën e mësipërme i përzien me lugë.
Pastaj shtrohet e gjithë masa në tavë të lyer me gjalpë dhe me dy mollët e tjera e dekoron sipër.
Furra duhet të jetë e ngrohur më parë në 180 gradë. Piqet në këtë temperaturë për 50 minuta.
Kur e nxjerr nga furra është në dëshirën tënde hedhja sipër e sheqerit pluhur me kanellë.