Tri arsye pse duhet t’i bëni tani biskotat me xhenxhefil

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Ta nisim nga e para: xhenxhefil është ai që i thonë ginger. Ka ekzistuar në gjuhën shqipe si fjalë shumë përpara se xhenxhefili të niste të përdorej thuajse nga të gjithë dhe të bëhej i modës. Për dashuri ndaj gjuhës dhe për inat të gjithë atyre që mendojnë se shqipja është gjuhë e varfër, në këtë blog emrat e përbërësve kemi shumë qejf t’i shqipërojmë.

Tani kalojmë tek kryesorja: biskotat me xhenxhefil, të preferuarat e mia, sa nis dhjetori. U jam mirënjohëse shumë këtyre biskotave: shpërndarja e tyre nëpër miq këto vitet e fundit, bashkë me fuqinë e Instagramit, më nxorrën namin e mirë që di të bëj ëmbëlsira. Tashmë, edhe nëse unë do përtoja t’i bëja, janë të tjerët që mi kërkojnë. Dhe sigurisht nuk mund të mungojnë tani në blog, fiks në stinën e tyre. Dhe nuk duhet të mungojnë në asnjë shtëpi, së paku për tri arsye.

  • Janë kthyer në simbol të Krishtlindjeve. Aroma e kanellës dhe xhenxhefilit, që ndehen në ajër për së paku 24 orë, ju tregojnë që nuk bëhet fjalë për ëmbëlsirë të thjeshtë, por rrëfejnë se zyrtarisht festat kanë ardhur.
  • Përgatitja e tyre është lumturi e jashtëzakonshme për fëmijët e vegjël, jo vetëm për vajzat, por edhe për djemtë. Meqënëse festat u kushtohen fëmijëve, është kaq bukur kur me ta kalon dhe kohën në kuzhinë. Sot qëndruam tre orë në kuzhinën e miqve të mi me vajzën e tyre Kaltrën. Në tre orë ajo harroi iPad-in, televizorin dhe çdo gjë elektronike. Ishte shumë krenare kur më ndihmonte për të peshuar përbërësit, kur i dhashë të punonte brumin dhe u zbavit së tepërmi duke bërë format festive dhe duke i lyer pastaj në sheqer të përzierë me kanellë. E mendoni dot kur të shkojë nesër në festën e shkollës dhe të gostisë vajzat e tjera me biskotat që ka bërë vetë?!

  • Nëse këto biskota kur janë ende të nxehta i shpon me një krruajtëse dhëmbësh dhe kur ftohen mirë iu kalon një shirit të hollë, mund t’i varësh në bredh. Do kesh zbukurimet më origjinale dhe më erëmira (nesër në mëngjes mund të ndalosh tek bredhi me filxhanin e kafes në dorë dhe ta hash mëngjesin aty).

Përbërësit për rreth 50 biskota

360 gr sheqer kaf

110 gr sheqer i bardhë

360 gr gjalpë në temperaturë ambienti

10 gr kanellë pluhur

10 gr xhenxhefil plulur

10 gr pluhur pjekës

1 kokërr vezë

25 gr qumësht i freskët

750 gr miell

Pak kripë

 

Përgatitja

Të dy llojet e sheqerit bashkë me gjalpin e prerë në kubikë, kanellën, kripën dhe xhenxhefilin i rrahim në mikser derisa të formohet një masë kremoze. Shtojmë vezën dhe qumështin dhe i përziejmë. Shtojmë miellin dhe pluhurin pjekës dhe i punojmë derisa të bëhen brumë.

E lëmë brumin të pushojë në frigorifer së paku 45 min.

Pasi u japim biskotave formën që duam, i kalojmë nga njëra anë mbi sheqer kaf të përzierë me pak kanellë.

I pjekim biskotat rreth 10 minuta në furrën e ngrohur më parë në 175 gradë.