Tortë me reçel boronice, për të cilën Iva Tiço u nxi nga zilia

3 javë me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Gjatë gjithë kësaj kohe, tek merresha me punë të tjera pak më ndryshe se vendosje e ftereve në zjarr, Rozmarina u kthye në një blog, të cilin ngado që ta ktheje do gjeje nga një krostatë. Pastiçerja e mirënjohur e Fushës së Myzeqesë, Iva Tiço i bën krostatat nga me krem në me krem dhe pastaj prapë me krem, kurse fotot me pecetat shumëngjyrëshe rrëfejnë që në kohë më të vjetra atë do ta kishim mjeshtre tek Foto “Skënderbeu”.

Prandaj, rikthimi im në blog tek unë mori përmasën e një “hakmarrjeje”, e cila niset nga prania në Frontin antinazifashist e gjyshërve të mi në Luftën e Dytë Botërore.

Teksa, ata të gjorët e luftonin gjermanin duke u fshehur gërxheve nëpër male, Iva Tiço na e lufton duke i gatuar krostatë.

Prandaj, duke parë Bayern dhe Herta e Berlinit ju futa punës dhe bëra këtë tortë të thjeshtë, e cila u përpi nga hamësit, me të cilët më ka rënë për hise të ndaj çatinë.

Përbërësit:

Një petë sfoliatë

Reçel boronice (sa për të lyer shtratin e sfoliatës)

Ricotta lope (450 gramë)

Vezë (1 kokërr)

Sheqer (200 gramë)

Gjalpë (sa për sy e faqe)

Përgatitja:

E hapim petën sfoliatë në një tavë, të cilën më parë e kemi lyer me gjalpë që mos të ngjisë. Shtratin e saj e lyejmë me reçelin e boronicës, të cilin unë për vete e kam blerë në Lepushë, por mund të përdorni fare mirë reçel qershie apo të ndonjë lloji tjetër sipas shijes. Në një enë shtijmë rikotën ose gjizën pa kripë të dalë nga prerja e qumështit. Hedhim kokrrën e vezës dhe sheqerin. I përziejmë bashkë dhe ka për të dalë një masë veshtullore, të cilën e shtrojmë mbi reçelin. Anët e petës i presim dhe me to ndërtojmë shiritët që vendosim sipër tortës.

E pjekim në një furrë të ventiluar për 30 minuta me temperaturë 180 gradë.

Pasi e nxjerrim e lëmë të ftohet pak, në mënyrë që ta presim siç duhet.

Në fakt, doli shumë e mirë, por vërejtja që bëri dikush ishte që në kësi rastesh nuk përdoret peta sfoliatë, por ajo brise ose e bërë vetë…

E çë pastaj? Mua trotën ma grinë dhe Iva Tiço le të merret me gjermanin e fundit ose më mirë gjermanin e krostatës.