Tortë me patate me ça të ka mbetur në frigorifer

4 muaj me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Në këtë faqe mjeshtre të tortave kemi Ivën tonë, e cila çdo gjë ta mirëkupton, por tek tortat nuk lejon të futësh hundët. Ndaj, receta e sotme është një sfidë për të, por mbi të gjitha një këndvështrim tjetër për tortat, duke mbetur tek të kripurat.

Tortën e patateve e praktikojmë shpesh në shtëpi, veçanërisht kur frigoriferi kthehet në një farë dembeli dhe të paraqet ca proshutë të mbetur kushedi prej sa ditësh, ndonjë copë djathi që po zë një shtresë si të verdhë e kështu me radhë.

Ja ku i merr të gjitha dhe i jep hov fantazisë dhe sajon një tortë të shijshme dhe pjatë të rëndë në tryezë.

Përbërësit:

Patate (1 kilogramë)

Spinaq (300 gramë)

Dy të kuqe veze

Djath kaçkavall i grirë (150 gramë)

Proshutë a ndonjë gjë të ngjashme që të ka mbetur në frigorifer

Gjalpë (50 gramë)

Djathë mozzarella (250 gramë)

Bukë e thekur e grirë (pangrattato) sa të ta hajë syri

Vaj ulliri

Kripë

Piper i zi i bluar

Përgatitja:

Në një kusi ziejmë patatet, të paktën për nja njëzetë minuta, por ndoshta dhe më shumë, nëse janë të reja. I heqim dhe në të njëjtin ujë hedhim spinaqin, por jo më shumë se pesë minuta. E heqim spinarin dhe e lëmë të ftohet dhe të kullojë.

Në një tas të madh grijmë patatet e ziera me një grirëse patatesh. Hedhim dy të kuqet e vezëve, pak vaj ulliri, kripë (jo shumë), piperin e zi dhe djathin e grirë. Brumin e punojmë me dorë, derisa të lidhet.

Marrim një tavë e lyejmë me gjalpë fundin dhe anësoret dhe i hedhim pak bukë thekurinë që mos të na ngjisë torta. Shtrojmë një shtresë shumë të hollë nga brumi i patateve. Mbi këtë shtresë hedhim spinaqin, të cilit më parë ia kemi nxjerrë ujin duke e shtrydhur fort me duar dhe e kemi copëtuar me thikë. Mbi spinaq shtojmë proshutat e mbetura në frigorifer, djathin mozzarella dhe copa gjalpi. E mbulojmë me një shtresë tjetër nga brumi i patateve dhe mbi të hedhim sërish bukë thekurinë.

E fusim në furrë të ventiluar me temperaturë 200 gradë. E lëmë 20 minuta, por dhe më shumë, duke e kontrolluar me sy, derisa të përskuqet disi pjesa e sipërme.

Bëjmë provën e mirënjohur të kunjës së dhëmbëve, nëse ajo del e thatë, torta është gati.

E lëmë të ftohet pak, në mënyrë që prerja të na dalë e bukur dhe të shquhet shtresa e spinaqit.