Torta e mollës me thërmia, si mëngjeset e ëmbla të shoqes sime

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Kur shoh mikeshën time të vjetër Miriamin s’di pse më kujtohen gjithmonë reklamat e “Mulino Bianco”-s: tryeza të bukura, zhytje në gjelbërim, njerëz të qeshur, peceta linoje dhe embëlsira të vendosura bukur në tortiera… Sigurisht që si të gjithë ne dhe ajo ka ditë të mira e të këqija, por këtyre të fundit preferon të mos u japë fare rëndësi, në fund të fundit gjithçka kalon më mirë me një ëmbëlsirë të shijshme në një tryezë të shtruar bukur.

Mënyra si e kam shtruar unë tortën e saj, nuk ngjan dhe aq më të. Sepse ëmbëlsira të tilla Miriamin dhe familjen e saj e shoqërojnë mëngjeseve. Gjithsesi torta e saj me thërrmia, me shijen e mollës, gjalpin, të rrushit të thatë e konjakut mua më sjell pak shije feste, shije dhjetori. Ndaj besoj se këtë muaj do shoqërojë shumë ditë në shtëpinë time. Për më tepër, bëhet shumë thjesht dhe pëlqehet nga të gjithë.

Përbërësit

Për brumin: 300 gr miell (plus dy tre lugë për pjesën e thërrmiave); 2 vezë; 150 gr gjalpë në temperaturë ambienti; 150 gr sheqer kaf.

Për mbushjen: 5 mollë të verdha; 50 gr arra; 50 gr rrush të thatë; tre luge gjelle reçel (Miriami përdor reçel të bërë vetë në shtëpi, që ka brenda edhe kanellë, unë që përdora reçel kajsie të gatshëm, shtova dhe një lugë çaji kanellë pluhur); një lugë gjalpë; pak konjak.

Përgatitja

Përzien gjalpin me sheqerin, shton vezët dhe më pas miellin dhe i punon derisa të bëhet një brum i ngjeshur i fortë.

E fut brumin në frigorifer të mbështjellë me qese kuzhine dhe e lë të pushojë një deri në dy orë. Nëse ke më pak kohë, mund ta lësh në ngritje, ndërkohë që përgatit mbushjen.

Mollët, rrushin, arrat i skuq në tigan me një lugë gjalpë dhe konjak ose raki! Në fund i hedh reçelin. I vë mënjanë të ftohen

Shtron taven me gjysmën e brumit. Hedh përzierjen e tiganit në të gjithë sipërfaqen. Brumit të mbetur i shton dhe pak miell dhe duke e shkërmoqur mes duarsh, mbulon tavën.

E pjek në furrrën e ngruhur paraprakisht në 175 gradë derisa të marrë ngjyrë të artë. Në fund e lë në pjesën e poshtme të furrës për dy tre minuta.