Tiramisù, që më kollaj bëhet, sesa i shkruhet receta

2 muaj me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Nuk kisha fare në plan ta shkruaja këtë recetë, sepse nuk di sepse më duket sikur dinë ta bëjnë të gjithë. Madje nuk kisha në plan as ta bëja Tiramisù dje, por nepsi është gjë e madhe. Sapo e pashë në story të Arbanës hapa menjëherë frigoriferin ku për fat kisha Mascarpone që e kisha blerë për një tjetër gjë (biskotat savoiardi i blej gjithnjë me ambalazhin e madh, kështu është e sigurt që nuk mungojnë kurrë në shtëpi). E keqja e madhe e kësaj ëmbëlsire, në lidhje me nepsin, është që edhe pse bëhet thjesht, duhet të pushojë në frigorifer nja katër orë të mira. Por durohet kollaj, në fund të fundit nepsi im përballohet. Por meqë disa zonja shtatzëna në inbox ma kërkuan dhe nepsi i tyre thuhet që duhet përmbushur, nuk po përtoj hiç ta ndaj recetën.

Përbërësit për 14 persona

(unë i pjesëtova të gjitha me dy)

1 kg krem mascarpone; 400 gr sheqer; 12 të verdha vezësh; 20 filxhane kafe ekspres; 16 biskota savoiardi; kakao pluhur.

Përgatitja

Bëjmë kafenë dhe e lëmë të ftohet.

Rrahim vezët dhe sheqerin në rrahës elektrik (ose fort me dorë) për rreth 10 minuta, derisa të bëhet si krem i bardhë. Shtojmë kremin mascarpone dhe e rrahim sërish për 5 minuta të tjera.

Shtrojmë një shtresë kremi në tavën e qelqit.

Lagim në kafen pa sheqer biskotat. Shtrojmë gjysmat e tyre mbi kremin dhe e mbulojmë sërish me krem. Shtrojmë mbi të pjesën tjetër të biskotave të lagura me kafe dhe mbi to shtresën e tretë dhe të fundit të kremit (nëse tava është më e vogël, pjesën e mbetur të kremit dhe biskotave mund t’i shtroni në të njëjtën mënyrë në gota ëmbëlsirash apo në çfarëdolloj ene që dëshironi).

Spërkasin sipërfaqen e ëmbëlsirës në mënyrë të bollshme me kakao, e mbulojmë me qese kuzhine dhe e lëmë të pushojë në frigorider së paku katër orë.