Të hënën në vend të groshës kemi thjerëzat e shef Renatos

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Kur vjen puna tek ditët tipik e të ushqimeve, ne shqiptarët nuk mbetemi dhe aq mbrapa fqinjëve tanë. Nëse Italia përshembull ka një ditë në vit që e njeh si “ditën e makaronave Karbonara”  ne kemi çdo të hënë ditën e groshës. Shumë amvisa i fusin në ujë një natë përpara, disa i ziejnë të dielën në mbrëmje në tenxhere me presion, të tjera akoma ruajnë nga dreka e të hënës ndonjë pjatë për ta ngrënë në darkë me pilaf (për këtë të fundit unë vdes!).

Sot në vend të groshës unë kam zgjedhur një kushërirën e saj të parë: thjerëzën. Dhe e kam bërë sipas librit të Renato Mekollit “Sekretet e shijes”. Me tepër supë, sesa gjellë, me një shije shumë, po shumë të mire dhe që bëhet shumë shpejt, pa këtë kohën e lënies në ujë apo zierjeve që zgjasin. Unë mendoj se më doli e përsosur, ama nuk do guxoja t’i thoja të provonte pak…  E njoh si ëngjëll në kuzhinë n e tij të Umamit, më argëton ta shoh si djall në ekranin e Top Channel çdo të premte, por do m’i priste krahët fare qoftë dhe po të rrudhte buzët.

Përbërësit

150 gr thjerëza; 2 lugë kafeje uthull; 2 domate; gjysmë luge pelte domateje; gjysmë karote; gjysmë qepë; 2 gjethe të vockla dafine; 2 thelpinj hudhra; 1 lugë kafeje rigon; 100 ml vaj ulliri; kripë; piper.

Përgatitja

Lajmë me ujë të rrjedhshëm thjerëzat, i vëmë ne tenxhere me ujë të ftohtë dhe i lëmë të ziejnë për 15 minuta.

Derdhim ujin dhe i shplajmë. I vëmë në një tenxhere tjetër bashkë me perimet e prera në të njëjtën madhësi. Shtojmë ujë dhe e lëmë supën në zjarr të ngadaltë për 50-60 minuta derisa të lidhet dhe të marrë shijen që duhet.