Tavë peshku për t’i thënë Ivës që boll e shite tartën 1000 herë

3 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

E kalova gjithë periudhën e festave të fundvitit duke punuar dhe me orë të tëra në kompjuter. Për pasojë nuk i shpëtova fotove të Ivës pranë pemës herë me tesha nate, herë me tartën e saj që na e ka shitur nja 1000 herë apo me ndonjë libër të zënë prej kapakut të bukur.

Bashkë me këto pamje të denja për manualet e klubit të tifozeve të filmit “Sex & the city” nuk munguan ankesat e saj për mua, një gazetar “i mirënjohur sa më s’ka” që nuk shitet pranë kuzhinës së qeverisë. E helmuar nga tymrat e Rilindjes, ajo thoshte lart e poshtë se medemek unë e paskam braktisur faqen rozmarina.al dhe për ta mbajtur atë në këmbë po sakrifikonte Iva jonë, madje dhe gjermani i fundit që është në konflikt të hapur me shoqatën e veteranëve, ku bën pjesë Elisa Spiropali.

Nejse, festat deshi I madhi Zot dhe ikën, kështu që unë ju riktheva punës, pra kompjuterit, ku të ndjekin sërish fotot e Ivës, e cila tani gjoja bën sikur ankohet për kilet që paskemi vënë pas festave. Ta shohësh Ivën si shkopinjtë në restorant kinez dhe mua që luftova me një tespi kadaif të Rekës, një tepsi bakllavë të Rekës, një tepsi sheqerpare të Rekës, një tepsi shëndetëlie po të Rekës, të cilat notonin në shërbet dhe plot e plot panettone e pandoro jo të Rekës, e kupton më së miri se ç’do me thënë me shtu kile, kur të shpërthen këmisha në mëngjes sikur je Kejvina Kthjella, ani se spektakli që jep ka të njëjtën shije si shpatullat e varura lakuriqe të Edi Ramës, kur e çponin për vaksinën.

Prandaj, jam i detyruar të bie dhe unë në monotoninë e lëvizjeve të dobësimit duke zgjedhur peshkun si aleat e për t’u bërë pak më i mençur ha dhe kokat e tij.

Më poshtë po ju paraqes një tavë peshku bërë me dy lloje të ndryshme, se shitësi im qëlloi po aq i zoti sa ato çikat e telemarketingut që dalin në emisionin e mëngjesit që udhëheq vetë.

Përbërësit

Një kocë e egër (700 gramë)

Një peshk romb (700 gramë)

Patate (dy kokrra)

Karrotë (një copë)

Kungull (një copë)

Qepë të njoma (dy fije)

Hudhër (katër thelpinj)

Domate qershi (pesë-gjashtë copë)

Limon të prerë hollë (gjysëm kokrre)

Ullinj pa bërthamë (pesë-gjashtë kokrra)

Rozmarinë (dy fije)

Majdanoz (një tufë)

Vaj ulliri

Verë e bardhë (një filxhan çaji)

Kripë

Piper i zi dhe i kuq kokërr

Përgatitja

Zarzavatet i grijmë hollë dhe i shtrojmë në një tavë. I lagim me vaj ulliri, hedhim kripë, shtijmë dhe verën e bardhë, kokrrat e piperit dhe e fusim në furrë të ventiluar në një temperaturë 200 gradë Celcius.

Ndërkohë peshkun e pastruar për merak e trajtojmë ende jashtë. Ja mbushim barkun me domate qershi të prera në gjysëm, majdanoz të grirë hollë, ullinj, hudhër, kripë dhe vaj ulliri.

Pas ndonjë çerek ore e vendosim peshkun mbi zarzavatet dhe i pjekim për merak për 25 minuta.

Sërish nxjerrim peshkun nga furra dhe lëmë zarzavatet të piqen akoma më shumë.

Peshkun e filetojmë dhe e vendosim sipër pjekurinave.

Shoqërojeni me verë të bardhë dhe në fund po pati tepruar ndonjë copë kadaif mos i bëni naze, se Iva atë punë ka të bëjë fotografi, meqë gjermani i fundit bën shkrepje speciale si ata “xhaxhat” poshtë kalit të Skënderbeut një herë e një kohë.

P.S. Na falni për cilësinë e fotove, se unë jam çami i fundit, jo gjermani i fundit.