Tavë me patate dhe salçiçe që ia do zemra një kupë verë

6 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Në kohët e kuqe, të djelën gatuhej tava me patate, në të cilën piqej një gjysëm pule që ishte marrë me racion. Gjysma që kursehej duhej për të mbledhur javën me ndonjë supë a ndonjë gjë tjetër. Por, aroma e asaj tave të ditës së djelë më ka mbetur ende në kujtesë, veçanërisht kur shoqërohej me ndonjë gotë birrë të hapur që e blinim tek gjelltorja më afërt.

Ndoshta është pikërisht kjo aromë që më kthen gati çdo të djelë tek tava e patateve, por jo më me një gjysëm pule hungareze që nuk dihet nga na e sillte qeveria, por me mish, zogj, peshk e më the të thashë.

Sot, vendosa t’i gatuaj me salçiçe të freskëta viçi që i gjen në SPAR, prandaj nuk ke nevojë të vuash shumë. Nuk ka vetëm papate, por edhe karrota, selino dhe kërpudha.

Më ndiqni më poshtë.

Përbërësit:

Salçiçe të freskëta viçi (½ kilogram)

Patate (5 kokrra mesatare)

Kërpudha (3 copë)

Karrotë (1 copë)

Selino (1 fije)

Hudhër (5 thelpinj të paqërruar, me këmishë)

Rozmarinë

Rigon mali

Dafinë

Piper i kuq kokërr

Piper i zi kokërr

Vaj ulliri

Kripë

Një filxhan çaji verë e bardhë

Përgatitja:

Në një tigan shtini vajin e ullirit dhe copat e salçiçes të prera në formë kubike. Thelpinjtë e hudhrës i shtypni me faqen e thikës dhe i hidhni në tigan së bashku me rozmarinën, rigonin dhe dy gjethe dafinë. I lëmë pak të kavardisen duke i rrotulluar sa në njërën faqe në tjetrën që të marrë anë. Pastaj shtojmë karrotën dhe selinonë të prera në copëza të vogla. Vazhdojmë kavardisjen për dy minuta me zjarr mesatar dhe shtojmë patatet të prera kubikë. Bashkë me to hedhim kripën, dhe kokrat e piperit të kuq e të zi.

I kavardisim me zjarr pak më shumë energjik për 10 minuta. Më pas shtojmë kërpudhat e prera hollë dhe e vazhdojmë këtë kavardisje edhe më 5 minuta, derisa kërpudha të zbutet.

Të gjithë masën e shtijmë në një tavë qelqi dhe e fusim në furrë me 200 gradë, të ngrohur më parë.

Pas 15 minuta në furrë i shtojmë verën dhe e përziejmë.

Pas 15 minutash të tjera e kemi gati.

Tani nuk e do kjo tavë një kupë verë, birrë apo raki? Më thoni ju, se unë nuk pi.