Tavë me copa mishi viçi, me narden si e bëjnë tironcit

4 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Ata që kanë nisur të gatuajnë për qejf si puna ime, në pjesën më të madhe e kanë nisur me makaronat. Por, tani që kanë kaluar nja njëzetë vjet që rri sipër kusive më është kthyer një dëshirë e zjarrtë për të shkuar drejt shijeve të dikurshme të gjyshes, tavave të dhesë, fërgesës verore me qepë e hudhër të njomë.

Pra, në  një farë mënyre më ndodh të shkojë mbrapsht si ajo kënga e mirënjohur e “Return to innocence” e Enigma.

Ja kështu më qëlloi para do ditësh të rrija në një nënçati në Qesarakë, ku tryeza ishte plot me tava dheje, gjindja këndonte me një firzamonikë këngë qytetare Tirone. Atje rizbulova këtë tavë delikate me narden që më bën ta dua edhe më shumë këtë qytet që po ia shkulin historinë, por nuk ia shkulin dot robin, të cilit i rri mendja te muzika e dashnisë, kopshtiet me hide dhe tavat e dhesë.

Përbërësit:

Mish viçi tul i prerë me copa të vogla (1 kilogram, i blerë në SPAR)

Qepë e kuqe (1 kokërr e vogël)

Narden (1 lugë çaji)

Salcë domateje koncetrat (1 lugë gjelle)

Lëng zarzavatesh ose koncertat (1 dado)

Nisheshte (1 lugë gjelle)

Dafinë (3 gjethe)

Spec djegës (2 copë)

Vaj ulliri

Kripë

Përgatitja:

Mishin e prerë në copa e kavardisim në vaj ulliri me zjarr të butë në një tigan. Pasi ai merr një faqe i shtijmë qepën e prerë hodhë, dafinën, specin djegës.

Kujdes! Kripën do ta hedhim në fund, sepse përndryshe mishi i viçit mbetet i pazier. Nëse do të përdorim lëng zarzavatesh koncertat, edhe këtë do e hedhim në fund, sepse përmban kripë.

Pasi i kemi kavardisur mirë, shtojmë salcën e domates koncetrat. Ndërkohë në një filxhan çaji shkrijmë një lugë narden me pak ujë të vakët. E hedhim lëngun në tigan. Më pas shtojmë lëngun e zarzavateve si ju kemi mësuar në: https://rozmarina.al/si-ta-bejme-lengun-e-zarzavateve-brodon/,

Nëse do të përdorni koncetrat shtoni vetëm ujë. Mbuloheni me një kapak dhe lëreni në zjarr me flakë të ulët për 45 minuta. Nëse e doni lëngun pak të trashë shtoni niseshtenë dhe përziejeni me një lugë druri që mos t’ju kokërzohet. Shtoni kripën (dhe 1 dado). I lini sërish 5 minuta.

Hidheni të gjithën në një tavë dheje ose tava të vogla dhe futeni në furrë të aspiruar me 200 gradë. Pas gati 30 minutash ose më pak do keni një tava dheje që kërkon qepën e njomë dhe kupën e rakisë.