Tavë dheje me kërpudha për të vrarë këto ditë “as mish, as peshk”

2 javë me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Janë ditë të vështira, pasi në pak orë ndodhin gjëra të hatashme. Është ndërruar ora dhe i bie të flesh më pak, dita po i merr natës, në shesh po ka vaksina për pleqtë, të cilët nuk qëmtojnë më domatet në tezga, por mbajnë radha para Muzeut Kombëtar. Politika ka zënë televizorin, kurse Iva Tiço dhe gjermani i fundit po zhdëpen në të ngrëna dhe nuk vënë mish.

Unë për vete vdiqa duke ngrënë ushqime pa kalori, por nuk kam asnjë shenjë se po tretem. Ajo dhe ai mbetën si shkop. Kam bindjen që ka të bëjë me entuziazmin e fillimit të një lidhje dashurie, të cilën unë për vete e kam harruar në tymnajën e kohrave të shkuara.

Ani, diçka nuk e harron robi dhe kjo është e ngrëna. Kështu ma bënë më sy do kërpudha të bardha borë që pashë në një shitore. I rrëmbeva dhe renda në shtëpi.

Çfarë kisha atje? Pak mish të thatë, një kutizë pana, një fundçe shisheje me konjak dhe vullnetin e mirë për t’u rishfaqur tek rozmarina.al, prandaj se si shkuan punët po ua tregoj më poshtë.

Përbërësit

Kërpudha (1 kilogram)

Mish i thatë (1 copëz qe dhe nuk e peshova)

Pana (1 kutizë nga ato të voglat fare)

Hudhër e njomë (dy fije)

Konjak (30 gramë, por ndoshta dhe më pak a më shumë)

Sherebelë (tre katër gjethe)

Gjalpë (një lugë gjelle)

Djathë i grirë kaçkavall

Spec Djegës (1 copë)

Vaj ulliri

Kripë

Përgatitja

Në një tigan shkrijmë gjalpin dhe më pas shtijmë vajin e ullirit. Mishin e thatë e presim në copëza të vogla dhe e hedhim në tigan së bashku me hudhrat e njoma e specin që i kemi prerë hollë. Shtojmë pak kripë (kujdes me të, sepse pana ka kripë, por edhe djathi i grirë).

Kërpudhat e lara dhe të thara me letër kuzhine i presim si fletë cigareje. I derdhim në tigan. Në fillim do të duket si një mal i madh, por pastaj do ngrohen, do u hyjë vaji dhe do të kavardisen së bashku me harxhin tjetër.

I shuajmë kërpudhat me konjak. Presim të avullojë alkooli dhe shtojnë panën. Fikim zjarrin dhe e hedhim të gjithë masën në tavë dheu. Shtojmë djathin e grirë dhe e fusim në furrë, të cilën e kemi ngrohur më parë me furrë të ventiluar 200 gradë celcius ose furrë lart dhe poshtë 220 gradë. Pas 30 minutash kemi një drekë, ku buka duhet të jetë e zezë dhe e ngrohtë, kurse rakija apo vera të lutet: “Më merr dhe mua në tavolin!”.

Ç’do bësh nuk do e marrësh?