Tavë dheje me fileto pule, speca dhe krem djathi

5 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Falë Zotit, vera shkoi bashkë me vapën, kostumet e banjës së Iva Tiços dhe ushqimet e saj skilipece.

Tava e dhesë e shtëpisë sime priste me merak të madh të kthehej në aksion dhe në këtë ditë të vrenjtur dhe pak përtace, ajo zuri vendin e vetë të nderit në kuzhinë.

Pjata që propozoj sot nuk është një recetë klasike, por një shpikje e dekikës, kur qëndroja si vuv para bankës së mishit dhe shihja gjithë kërshëri gjokset e filetuara të pulës.

Atje e ndava dhe e bëra. Ka dalë si yll dhe kjo është çudia, pasi unë dhe shpikjet jemi drejtëza të kithëta.

Përbërësit:

Fileto pule (1 kilogram)

Krem djathi (200 gramë)

Speca (3-4 copë të vegjël)

Hudhër (5 thelpinj të vegjël)

Karotë (1 copë mesatare)

Selino (1 fije)

Rozmarinë (1 fije)

Sherebelë (1 degëz)

Spec djegës (1 copë)

Vaj ulliri (1 filxhan kafeje)

Kripë

Piper i zi

Përgatitja:

Në një tigan ngrohim vajin e ullirit, të cilin e aromatizojmë me hudhër, fijen e rozmarinës, sherebelën dhe specin djegës.

Shtijmë në tigan fileton e pulës të prerë në kubikë. Nëse e doni tavën të yndyrshme dhe me shije më të fortë mos ia hiqni lëkurën. Hedhim shumë pak kripë, se ka edhe kremi i djathit. E pluhurosim me pak piper të zi sa për shije.

Ngrijeni zjarrin dhe kavardiseni pulën sa të marrë një faqe. Më pas shtoni karotën dhe selinonë të prerë hollë. Vazhdoni kavardisjen dhe në fund shtini specin të prerë në unaza jo shumë të holla. Përziejeni për dy minuta dhe në fund shtoni kremin e djathit.

Fikeni zjarrin dhe masën nga tigani e hidhni në një tavë dheje, të cilën e fusim në furrë të ventiluar për 30 minuta me 180 gradë. Nëse nuk e dëshironi të thatë herë pas here mund t’i shtoni pak ujë.