E kush tha që supa është vetëm nga halli, kur sëmuremi apo kur duam të dobësohemi?! Ja ku e kemi shpëtimin, kjo copa e thekur e bukës, e lyer me djath kremoz gorgonzola, që noton mbi të dhe që i jep një shije shumë të mirë dhe të ngop cazë më shumë (unë gjithsesi, e kam supën thjesht pjatë të parë, asnjëherë pjatë të vetme). Edhe pa të supa është gjithashtu e shijshme, sepse ka edhe krem djathi mascarpone, ndërsa ai brokoli brenda kalon poshtë pa problem në këtë mënyrë (për ata që si puna ime e urrejnë, por që prapë duhet ta hanë). Përgatitet shumë thjeshtë dhe nëse e keni blenderin që mund të zhytet në tenxhere, nuk bën as shumë enë pis.
Përbërësit për 4 persona:
1 lugë gjelle vaj ulliri, 10 gr gjalpë; 2 qepë të mëdha shallots të grira hollë; tre thelpinj hudhër të copëtuara; 350 gr patate të prera në kubikë, kripë dhe piper të freskët të sapobluar; 4 lugë gjelle mascarpone, katër feta bukë të thekur, 30 gr djathë blu kremoz.
Përgatitja
Nxeheni vajin dhe gjalpin në tenxhere, hidhni qepën dhe hudhrën, sa të nisin të marrin ngjyrë të verdhë shtoni patatet dhe gatuajini bashkë për rreth 5 minuta duke i përzierë vazhdimisht. Ndërkohë në një tenxhere zieni 1.5 lt ujë.
Hidhni më shumë sesa treçerekun e ujit të zierë në tenxheren ku janë të skuqurat dhe përziejini mirë. Shtoni kripën dhe piperin dhe ziejini të mbuluara me kapak në nxehtësi të ulët për rreth 10 minuta. Hidhni brokolin që e keni copëtuar më parë, mbulojini me kapak dhe ziejini dhe për 10-15 minuta të tjera, derisa perimet të jenë të buta. Lërini të ftohen për pak minuta pastaj kalojeni supën në blender (ose zhyteni blenderin në tenxhere, derisa të keni një masë krejtësisht kremoze, pa copa perimesh). Shtoni në tenxhere kremin e djathit mascarpone, ujin e mbetur dhe trazojeni fort me lugë druri. Vendoseni sërish mbi sobë dhe vijoni përzierjen me lugë druri derisa të marrë valë dhe djathi të jetë krejtësisht i tretur.
Shërbejeni me copat e bukës të lyera me djathin blu.