Sfidën e Kelit me oriz Olim e fitoj unë dhe kjo tortë e veçantë

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Po erdhi puna për gara unë kam në zakon të keq: nuk e njoh fare filozofinë “rëndësi la pjesëmarrja”, dua vetëm të fitoj. Ndaj kur kolegu im Kel Demi më sfidoi publikisht, që me rastin e zbulimit të orizit Olim të provoja të bëja diçka të ëmbël me paketimin me etiketë të gjelbër, ndërsa ai po bënte një risotto pranveror me atë me etiketë blu, normalisht nuk mund të mjaftohesha me një sultjash të thjeshtë, sic më sugjeruan të gjithë në Instagram. Ndaj pra erdha tek kjo tortë, që realizohet mjaft mirë me orizin Olim, etiketa e gjelbër e të cilit është mjaft e përshtatshme për gatimet e mbushura dhe ëmbëlsirat.

U desh të lexoja pak në internet që të gjeja ëmbëlsirën e duhur (këto ditë do provoj të bëj edhe kabuninë me të njëjtin oriz). Dhe sigurisht zgjidhjen e gjeta tek italianët: vetëm ata që nuk ia fusin kurrë kot për këto gjëra. Torta me origjinë bolonjeze është gatuar historikisht në krahinën e Emilia Romagna-s gjatë muajit maj për festimet e Corpus Domini. Për ta kremtuar ballkonet dhe dritaret visheshin në mënyrë festive me perde me ngjyra, ndërsa me këtë ëmbëlsirë gostiteshin familjarët dhe miqtë. Ndryshe nga versioni i thjeshtë tradicional, pas leximeve andej këndej unë vendosa ta pasuroja dhe me stika pishe dhe rrush të thatë. Gjithsesi e thjeshtë apo me përbërës të tjetë të shtuar, ëmbëlsira ka një arromë delikate, është shumë e lehtë për t’u përgatitur dhe është mjaft e përshtatshme edhe për ata që janë intolerantë ndaj glutenit. Përtej sfidës së Kelit me orizin Olim (e ndjej që e kam të fituar garën ende pa botuar foton në Instagram, torta ia merr cfarëdolloj risotto-je), besoj se kjo ëmbëlsirë do të gatuhet ca më shpesh në shtëpinë time: një fetë tortë dhe një kafe me qumësht është mëngjesi më i mirë i mundshëm.

Përbërësit

200 gr oriz Olim me etiketë të gjelbër; 750 ml qumësht i  freskët i paskremuar;  180 gr sheqer; 3 vezë; 50 gr rrush i thatë; 50 gr stika; lëkura e grirë e një portokalli; një majë luge kripë; 80 gr gjalpë dhe pak ekstra për të lyer tavën; një shkop kanellë; gjysmë luge kafeje kanellë pluhur; pak galetë të grirë; sheqer pluhur.

Përgatitja

Vendosim rrushin e thatë në një enë me ujë të ngrohtë.

Qumështin dhe orizin, bashkë me shkopin e kanellës, e vëmë të ziejnë në zjarr mesatar për rreth pesëmbëdhjetë minuta, derisa orizi ta ketë përthithur gjithë qumështin. Heqim prej tij shkopin e kanellës dhe e vëmë mënjanë të ftohet.

Lyejmë tavën me formën e zgjedhur (unë kam përdorur atë me formë zemre të Tescoma-s) me gjalp dhe e mbulojmë me galetën e thërrmuar dhe e lëmë mënjanë.

Në një tas rrahim mirë vezët dhe sheqerin me rrahësen elektrike, derisa të formohet një krem. Eshtë shumë e rëndësishme rrahja e vezëve, pasi në të kundërt torta rrezikon të shndërrohet në një lloj omlete. Pasi t’i kemi rrahur, shtojmë gjalpin të shkrirë dhe i rrahim pak sërish.

Shtojmë këtu një të tretën e stikave, kripën dhe rrushin që e shtrydhim mirë që t’i heqim ujin. I përziejmë dhe shtojmë orizin e zierë që ndërkohë është ftohur.

E trazojmë masën dhe pastaj e hedhim në formën që kemi përgatitur. Shtojmë sipër stikat e mbetura dhe kanellën pluhur. E pjekim për rreth pesëdhjetë minuta, derisa të marrë një ngryrë të bronxtë sipër. Pasi të jetë ftohur e pudrosim me sheqer pluhur.