Se sallata e makaronave është dhe bukë dhe gjellë

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Unë nuk jam tipi i sallatës për drekë: sallatën e dua, në çdo vakt (kur jam në bufetë e mëngjeseve në hotele e bëj edhe në mëngjes), por vetëm për të shoqëruar. Ndaj të më thuash që për drekë do hash vetëm sallatë, më ke dhënë dënim të madh. Por jo kur vjen fjala tek makaronat, që nëse bëhen sallatë, siç i bëjnë italianët, qenkan një vakt i vërtetë dhe i shijshëm dhe që ma mban larg urinë për disa orë.

E frymëzuar në fundjavën e shkuar nga kushërira ime Kristina, që drekën e të shtunës në Qerret na e shoqëroi me një sallatë makaronash (kjo puna e shoqërimit qenka në gjak mesa duket, ne nuk na kanë rënë në pjesë dietat, por tryezat plot dhe drekat me tre pjata), vendosa që këtë javë të provoja drekat e lehta. Dhe për tre ditë ia dola ta kaloj drekën vetëm me një pjatë të tillë, të katërtën u dorëzova dhe u ktheva në fis, me drekën e plotë.

Gjithsesi më poshtë po ndaj disa ide sallatash me makarona, shumë prej të cilave me ca përbërës më shumë, apo me ca më pak, që mu sugjeruan nga ndjekësit në Instagram dhe Facebook. Meqënëse janë gatime të thjeshta, bëhen në mëngjes dhe mund të merren me tas në punë, kanë nisur dita ditës të bëhen gjithmonë e më popollore. Kush nuk i ka provuar akoma, bujrum! Ka përpara dhe dy muaj të tjerë për të ngrënë me shije dhe relativisht lehtë.

 

Sekreti? Makaronat e vogla dhe vaji i ullirit

Nuk ka ligj që ndalon spagetit apo taliatelet, por sallata e makaronave, apo makaronat e ftohta, janë të përsosura në prerje të vogla. Unë në shtëpi e kam zgjidhur me De Cecco-n: ka nga të gjitha format, madje edhe tringjyrëshet, që në sallatat e makaronave janë dhe një gëzim për syrin ndër të tjera. I shoqëroj me vajin e të njëjtës firmë që ka aq shumë shije… Meqë jemi tek shija, e thjeshta është dhe më e mira, receta e Kristinës e ka sekretin pikërisht tek thjeshtësia: domate, speca, ullinj të zinj, borzilok të freskët, djathë e vaj ulliri, sallatë greke pra. Trazohet me makaronat dhe kaq. Jo vetëm nuk zhgënjen, por dhe frymëzon.

 

Pastaj vjen peshku ton

Shumica e sugjerimeve në rrjetet sociale (pas sallatës greke me makarona, që qenka shumë popullore dhe unë s’e paskësha ditur!) erdhën për të përdorur peshkun ton. E provova dhe më erdhi keq që kisha bërë aq pak dhe nuk mundesha të bëja biz me një pjatë të dytë. Makaronave fusili u shtova peshk ton, kaperi, domate qershizë të prera, pak lëng limoni dhe borzilok të freskët.

Me salcë avokadoje

Kjo është e vetmja sallatë makaronash që ka pak më shumë punë se të tjerat. Ssepse duhet të përdorësh dhe frulatorin që duhet ta lash, ndërkohë që të tjerat nuk kanë enë shtesë. Por mos u trembni, ia vlen për këtë shije. Avokadoja bashkë me pak hudhër, stika pishash dhe vaj ulliri kalohen në frulator derisa të bëhen si krem. Mirë është të shtojmë dhe pak ujë nga zierja e makaronave. I përziejmë me makaronat e zgjedhura (unë kam përdorur pene tringjyrëshe) dhe i shërbejmë me domate të vogla, qershizë ose daterini.

Salmoni shkon shumë me rukolën

Kjo është e preferuara ime. Për këtë përdor makaronat flutur, që pas zierjes u hedh vaj ulliri, pastaj gri rukolën, hedh djathë Philadelpia dhe salmon të tymosur. Disa pika lëng limoni kush dëshiron dhe pak vaj ulliri tjetër para servirjes.

Hidh çdo gjë dhe je në rregull

Këtë e mësova nga komentet tuaja. Tek toni shumë prej jush shtojnë misrin e ëmbël (vetëm se unë nuk e kam qejf). Por i bëjne dhe thjesht me pomodorini dhe rukola. Mund të shtosh dhe karkalecat e gatuar më parë, është e përsosur për drekat në plazh.

Sipas këshillës së një blogereje ushqimi, tek sallata greke ia vlen të shtohet dhe pak rigon dhe marinimi të bëhet edhe me mustardë (për t’u provuar!). Kurse makaronat me ton, veç lëngut të limonit mbajnë mjaft mirë edhe lëkurën e tij, bashkë me pak hudhër dhe ullinj të zinj, por dhe ca domate qershizë. Shumë kanë sugjeruar edhe qepë të kuqe të prerë hollë në gjithë ato sallata që kanë domate: për t’u provuar dhe kjo.

Pastaj janë dhe djathrat, sekush mund të shtojë të preferuarin e vet. Personalisht më kujtohen se si para disa vitesh i kam provuar të gatuara nga një italian në një udhëtim me barkë me vela: me pesto borziloku të gatshme, u kishte shtuar domate qershizë, proshutë spek në copa, domate qershizë dhe djathë mocarela. Turp është, por i hëngra me bukë, aq të mira ishin! Ndaj nuk guxoj t’i provoj sërish. Po e bëte, më thoni! Ose më ngushëlloni që ishte thjesht oreksi i detit.