Salçiçe me fasule një pjatë dimri, por që shijohet në vjeshtë

4 javë me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Salçiçet janë një dashuri e vërtetë. Gatimet e tyre janë të shumëllojshme, ndaj ata që mendojnë se janë veç për t’u hedhur në zgarë e kanë pak gabim.

Ka disa kombinime të salçiçeve me fasule, të cilat janë relativisht të lehta për t’u përgatitur, por më të vështira janë të kapërcehen paragjykimet që krijohen në lidhje me këto pjata. “Ç’janë këto salçiçe në groshë, kur ne kemi pastërmanë tonë?”,- do të pyeste dikush.

Në fakt, pastërmaja ka punën e vetë, salçiçet punë e tyre, sepse në të dyja rastet i bie të lëpish gishtat.

Përbërësit:

Salçiçe derri (ose viçi) (500 gramë)

Hudhër (1 thelpi)

Lëng domateje (300 gramë)

Fasule (300 gramë)

Qepë (1 kokërr)

Karrotë (1 copë)

Selino (1 fije)

Kripë

Vaj ulliri (1 filxhan çaji)

Përgatitja:

Fillimisht ziejmë fasulet. Në kusinë e tyre hedhim një kokërr qepë, një karrotë dhe një fije selino. I hedhim copë, të pa prera dhe pa kripë, sepse përndryshe fasulet nuk ziejnë.

Salçiçet e freskëta i pickojmë me majën e një thike në të gjitha anët, në mënyrë që kur t’i skuqim t’u dalë jashtë një pjesë e yndyrës, por të ruajnë formën e tyre të plotë.

Në një tigan shtijmë një sasi bujare me vaj ulliri bashkë me hudhrën. Salçiçet i fërgojmë mirë e mirë në të gjitha anët. Pasi e mbarojmë këtë punë dhe e kemi bërë sobën pika-pika nga kreu në fund shtojmë lëngun e domateve. E ulim zjarrin në minimum dhe e mbulojmë tiganin me një kapak. Fasulet e ziera i heqim me një kullesë, por nuk e derdhim ujin e tyre. Pas 20 minutave fasulet i bashkojmë me salçiçet. Shtojmë me sy pak nga uji i groshëve. I lëmë të vlohen në zjarr të ngadaltë edhe për 20 minuta të tjera. Nëse duhet shtojmë sërish pak nga uji i fasuleve. Sipas dëshirës mund t’i hiqni nga zjarri me pak lëng. Unë do i rekomandoja viskoze, jo shumë të lëngshme.