Më në fund moti po freskohet, shirat e vjeshtës po nisin dhe njeriu shpëton nga recetat, këshillat, dietat verore, të cilat janë më shumë se raciste ndaj mishit të kuq. Ato e përjashtojnë fare mishin dhe njeriut të gjorë i bëhet syri bakër për një thelë mish, por falë Zotit që martohet ndonjë në fis që të kapësh ndonjë brinjë të ftohtë.
Meqë jemi kundër rrymës, sapo koha u bë pak e vranët, jo vetëm që rrëmbeva një copë të mirë mishi në SPAR, por vendosa ta bëj sa më të kuq të jetë e mundur, duke ia dorëazuar verës së kuqe.
Përbërësit:
1.5 kilogramë mish viçi (rosto) – Merre vetëm në SPAR, nëse do pa merak dhe të prerë përsëmbari.
3 litra verë e kuqe
Vaj ulliri
Pesë thelpinj hudhër
1 karrotë
1 fije selino
1 kokërr qepë
1 spec
3 copa domate të thatë
5 kokrra kaper
Dafinë
Rigon
Rozmarinë
Piper i kuq kokërr
Piper i zi
Arrë moskati
Kripë
Përgatitja:
Mishin e marinojmë për 12 orë në verë të kuqe me dafinë, rigon, piper të kuq kokërr, rozmarinë, karota, qepë
Më pas e vendosim në tryezën e punës dhe e çpojmë me thikë të mprehtë me majë të hollë. Në çdo vrimë të çelur fusim karotë të prerë hollë, hudhër, selino.
Pastaj në një kusi guri shtijmë vaj ulliri, hudhër të paqëruar vetëm të shtypur me pjesën anësore të thikës, kokrat e kaperit, copat e domates së thatë. Lëshojmë mishin. E lëmë të marrë një faqe. Sipër i kemi vendosur dafinën, rozmarinën, rigonin e malit të lidhur tufë. Një qepë të ndarë në gjysëm, specin, karotën copë dhe fijen e selinosë. I shtojmë piper të kuq kokërr dhe arrë e moskatit.
E kthejmë në anën tjetër dhe e lëmë sërish. (Por, kujdes mos i hidh kripë!!!)
Më pas ulim zjarrin dhe e lëmë për 30 minuta me kapak mbuluar. E kthejmë në anën tjetër dhe e lëmë në lëngun e vet me kapak mbuluar edhe 20 minuta. Më tej, hedhim verë të kuqe, derisa të mbulohet 2/3 e copës së mishit. E lëmë një orë në zjarr të ngadaltë. E kthejmë nga ana tjetër dhe e lëmë edhe 30 minuta.
Pastaj lëngun që kemi përfituar e kullojmë në një tavë balte. Vendosi në qendër copën e mishit. E fusim për 20 minuta në furrë në një temperaturë prej 200 gradë. E kthejmë në anën tjetër dhe e lëmë sërish 15 minuta.
Mishin e presim hollë me një thikë të madhe dhe të mprehtë te hekurpunuesi. Copëzat e përfituara i zhysim në lëng. Hedhim kripë dhe i lëmë dhe 15 minuta në furrë me 150 gradë celcius.
Shërbeje, kullufite dhe mos harro; pije një gotë verë të kuqe, se shkon!