Quiche me gorgonzola dhe arra, siç e ka shpikur frëngu

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Lexohet kish, është më e lehtë të bëhet, sesa të shpjegohet dhe shijon shumë shumë. Si të gjitha gatimet franceze tek e fundit. Unë e preferoj shumë si shoqërues të verës së bardhë me bulëza Proseco (rrofshin italianët që na kanë mësuar këtë lezetin e aperitivit përpara drekës ose darkës!), por është  një recetë shumë e mirë edhe për ta marrë me vete në punë ose për piknik. Përgjithësisht e bëj me kungulleshka, por këtë të dielë doja shije të fortë. Dhe kur them të fortë, asgjë nuk krahasohet me djathin Gorgonzola, që në këtë gatim bëhet bashkë me arrat dhe domatet qershizë.

Për brumin Biriseé:

250 gr miell, 100 gr gjalpë i butë, 70 ml ujë, pak kripë.

Për mbushjen:

150 gr djathë Gorgonzola; 10 domate qershiza; një grusht arra të qëruara; 2 vezë; 200 ml pana kuzhine; kripë; piper.

Përgatitja:

  • Përziejmë miellin me gjalpin e prerë në kubikë, shtojmë pak kripë dhe ujin dhe e punojmë me duar, derisa të formohet brumi. E mbështjellim me letër kuzhinë dhe e lëmë të pushojë në frigorifer për 15 minuta.
  • E hapim brumin petë dhe e shtrojmë në një tavë (unë përdor një formë me bord të lëvizshëm) duke veshur dhe bordet e tavës 3-4 cm.
  • E shtojmë me pirun që të mos fryhet dhe e fusim në furrën e nxehur paraprakisht në 175 gradë celcius. E pjekim për rreth 15 minuta.
  • Në një tas rrahim vezët, shtojmë panën, pak kripë dhe piper dhe i trazojmë derisa të bëhet një krem komogjen. Thërrmojmë djathin mbi petën e pjekur dhe shtojmë sipër kremin. Mbi të vendosim domatet qershiza të prera mëdysh dhe arrat. E pjekim 20-30 minuta, derisa të marrë ngjyrë të artë.