Pirunët gati?! 12 fakte për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Makaronave

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Nuk është se na nevojitej ndonjë sebep më shumë për të marrë tenxheren, për të nxehur ca ujë e për të hedhur aty një grusht makaronash, por ja që sot e kemi një arsye madhore: 25 tetori është Dita Ndërkombëtare e Makaronave. Por edhe pse zemra mund të na qajë për një lazanja me shumë shtresa apo për një pjatë me makarona me katër a më shumë djathra, mbani mirë parasysh se makaronat janë një ushqim, sekreti i të cilit është tek porcionet. Ja përshembull, a i keni parë italianët, që i hanë çdo ditë e megjithatë nuk vuajnë nga obeziteti? Sekreti pra është porcionet e vogla dhe salcat shoqëruese, gjithmonë me përbërës të shëndetshëm e të freskët.

Këtë vit duket se festa e veçantë e makaronave është marrë shumë seriozisht, Moska po organizon një konferencë të madhe, ku shkencëtarë nga e gjithë bota do të diskutojnë pikërisht për vlerat ushqyese të makaronave, ndikimin e vogël që ka ky gatim në ndotjen e mjedisit dhe shumëllojshmërinë e këtij ushqimi.

Përgjithësisht popullariteti i makaronave është në ngjitje. Pas një rritjeje të numrit të kërkimeve në internet me fjalën “pasta” në vitet 2011 dhe 2014, Google raportoi se në 2016 kërkimi për makaronat kryesonte në listën e ushqimeve. Në krye të makaronave përsa i takon volumit të kërkimeve ishte lloji rigatoni, i ndjekur nga tortellini, linguinet, pennet, fusilli etj. Përgjithësisht njerëzit kërkojnë në google mënyra se si të gatuajnë një pjatë të caktuar në shtëpi gjatë fundjavave, mes fjalëve kyç ishin ato të enëve të përshtatshme për të realizuar recetat apo llojet e erëzave.

Dhe tani që nuk ndihemi dhe aq në faj për të shijuar një pjatë të mirë spagetti, por edhe ndonjë noodles aziatik, le të zbulojmë ca fakte të lezeçme mbi historinë e makaronave, apo këshilla gatimi.

  1. Në gjithë botën ekzistojnë më shumë se 600 forma të ndryshme makaronash.

 

  1. Nëse italianët do e hanin gjithë sasinë e tyre vjetore të makaronave vetëm në llojin spagetti, atëherë ata do hanin aq spaghetti, sa ta rrethonin me to tokën 15 mijë herë!

  1. Linguine në italishtë do të thotë “gjuhë të vogla”.

 

  1. Makaronat janë ushqimi, prodhimi i të cilit, e ndot ambientin më pak nga të gjithë.

 

  1. Italia është vendi që udhëheq listën e prodhimit të makaronave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës është vendi i dytë. Brazili mban vendin e tretë dhe ndiqet nga Rusia dhe Turqia.

  1. Mund të ekzistojë një shpjegim shkencor se përse na merr uria për karbohidrate. Një studim i fundit, i botuar në newscientist.com ka zbuluar se karbohidratet mund të klasifikohen si një shije e re. Shija e niseshtesë mund të konsiderohet si një “shije e gjashtë”, që regjistrohet nga gjuha krahas shijes së kripur, të ëmbël, të thartë, të hidhur apo pikantes që është zyrtarizuar së fundmi.

 

  1. Makaronat ju ndihmojnë të ndiheni të ngopur. Ato treten dalëngadalë, duke ju furnizuar me energji në mënyrë të qëndrueshme dhe duke e zgjatur ndjesinë e të ndjerit të stomakut plot.

  1. Fabrika e parë për prodhimin e makaronave në Amerikë u ndërtua në Bruklin në vitin 1848 nga një francez, i cili i varte spagettit në tela mbi terrace, në mënyrë që të thaheshin në diell.

 

  1. Thomas Jefferson, presidenti i tretë amerikan, ka meritën që i bëri mjaft popullore makaronat në Amerikë në vitin 1789, pasi kishte rënë në dashuri me to në Paris: sepse ja se çfarë bëhet në Paris, bihet në dashuri!

  1. Makaronat kishin ekzistuar për disa qindra vite përpara se dikush t’u hidhte edhe domate. Një nga arsyet qe se domatet nuk rriteshin në Evropë, përpara se eksploratori spanjoll Cortez t’i sillte nga Meksika në 1519.

 

  1. Kur vijmë tek çështja, se a duhet që makaronat të jenë të thata apo të freskëta, ka vetëm një përgjigje: si t’ju pëlqejnë më shumë! Makaronat e freskëta gatuhen me shpejt dhe janë të mira me salcat e lehta ndërsa makaronat e thara shkojnë për bukuri me salcën e domateve.

  1. Mos i shplani kurrë makaronat! Thjesht kullojini. Niseshteja që mbetet mbi makarona mbas zierjes i ndihmon ato të përthithin çfarëdolloj salce.