Pide turke Lahmacun, sepse të gjithë fajin e kanë telenovelat

4 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

E keni parasysh atë momentin kur jeni duke parë një gjë në televizor dhe në një moment të caktuar e humbisni fillin e ngjarjeje dhe fukusoheni tek një gjë e vetme? Tek ajo se çfarë po hanë personazhet përshembull. Nuk e di për ju, por mua kjo më ndodh ca si shumë, ka madje shumë filma që i rishoh vetëm për pamjet e ushqimit. Por asgjë nuk ma çon nepsi në qiell si ca gatime të telenovelave turke. Sidomos kur ulen të hanë mëngjes, apo kur ndonjë nënë e mirë bën pide. Në një moment nepsi të tillë katër vjet më parë i thashë Linda Fishtës që nuk e përballoja dot pamjen e ca pideve me mish të grirë sipër, që e dija sa të mira ishin, se i kisha ngrënë më parë në Turqi. Ajo më tha që quhen Lahmacun dhe si e papërtuar që është, jo vetëm mi bëri, por recetën e përfshiu dhe në librin e saj të radhës “Në kuzhinën e Linda Fishtës”. Mund ta gjeni Lindën në faqen e saj dhe në librari, ndërkohë që nuk besoj se do të ketë ndonjë kundërshtim që këtë gatim ta ndajmë dhe këtu, në rast se ndonjëra ka ndonjë krizë nepsi akute teksa sheh telenovelat që tashmë në gusht po ritransmetohen gjithandej dhe mua personalisht vijojnë të ma tërheqin vëmendjen (por kjo është një temë tjetër).

Kjo është receta për katër persona. Unë i gatova për dy, duke përdorur vetëm gjysmën e përbërësve. Mund t’i piqni në furrë, por edhe në një pllakë në nxehtë.

Përbërësit për brumin:

(për katër persona)

500 gr miell; 2 lugë vaj ulliri; 1 lugë të vogël sheqer; 1 lugë e vogël kripë; 4 lugë gjelle kos; 1 lugë e vogël maja birre e thatë (me kokkriza), 240 ml ujë i vakët (afërsisht)

Përbërësit për mbushjen:

500 gr mish i grirë viçi, 1 qepë, 2 domate, 1 spec jeshil dhe 1 spec i kuq; 1 lugë koncentrat domatesh; 1 lugë vaj ulliri; 1 lugë gjalpë, kripë; piper; spec pluhur; majdanoz.

Për ta lyer sipër:

1 lugë vaj ulliri; një e verdhë veze.

Përgatitja:

Hedhim miellin në një tas të madh, shtojmë në mes përbërësit e tjerë dhe e punojmë me dorë derisa të bëhet elastik dhe që nuk ngjit në dorë. E punojmë pastaj për rreth 10 minuta në tryezë me pak miell. E mbështjellim me plastmas kuzhine dhe e lëmë të pushojë rreth 50 minuta, derisa të vijë.

Ndërkohë përgatisim mbushjen. Në një tigan skuqin në fillim mishin me vajin e ullirit dhe pastaj shtojmë qepët dhe specat të prerë në kubikë të vegjë. I skuqim dhe këto për disa minuta, derisa qepa të jetë zbutur. Shtojmë domatet të prera në kubike, salcën koncentrat të domateve dhe majdanozin. I përziejmë mirë dhe i lëmë në zjarr dhe për pak minuta. Shtojmë gjalpin dhe fikim zjarrin. E lëmë tiganin mënjanë që të ftohet dhe të përzihen aromat me njëra – tjetrën.

Kur brumi të jetë fryrë sa duam, e ndajmë në 4 copa (ose 8 nëse i duam më të vogla pidet). I hapim me petës dhe pak miell dhe i vëmë direkt në tavën e furrës të lyer me letër kuzhine dhe shtrojmë mbi to mbushjen e mishit. Rrahim vezën me vajin dhe i lyejmë sipër me penel vetëm te pjesa e brumit.

I pjekim në 220 gradë të ngrohur më parë derisa të kenë marrë ngjyrë.