Petulla me kos, receta që ta heq petllën

9 muaj me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Nëse ka një kërkesë drejt nënave apo gjysheve për të gatuar diçka të mirë e të shijshme, padyshim në krye të listës së gatimeve shqiptare janë petullat.

Vështirë t’u rezistosh! Të ngrohta, me pak mjaltë, sheqer pluhur a kanellë, reçel apo djathë. Por edhe pa i shoqëruar fare, me asgjë, shija e tyre e plotë të përfshin tërësisht.

Fantastike për mëngjes dhe shoqëruese të këndshme për drekë, petullat mbeten një nga gatimet speciale jo vetëm për familjen, por edhe miqtë e të afërmit.

Ja recetë të ditës; petullat me kos, më të thjeshtat për t’u përgatitur.

Përbërësit:

1 vezë

2 filxhanë me kos

125 gr miell

Gjysëm luge çaji me sodë buke

kripë

vaj për skuqje

sheqer pluhur për spërkatje

Përgatitja:

Në një tas të madh, rrihni vezën dhe kosin, më pas shtoni dhe pak kripë dhe sodën e bukës.

Pasi të keni situr miellin, hidheni dalëngadalë tek tasi, duke e përzjerë gjatë gjithë kohës me ndihmën e një teli kuzhine.

Këshillë: Masën ta përzjeni, derisa të formohet një brum pak më i trashë se ai i palaçinkave.

Kujdesuni që të mos ju krijohen kokrriza të miellit, gjë që do t’iu ndikojë tek shija e petullave.

Në në tenxhere pak të thellë hidhni mjaftueshëm vaj për skuqje, dhe vendoseni në zjarr që të ngrohet.

Kini kujdes që vaji të jetë në temperaturën e duhur kur të hidhni brumin. Pasi nëse e shtoni kur vaji të jetë ende i ftohur brumi do të ngjitet në fund të tenxheres.

Me ndihmën e një luge merrni pak nga pak nga brumi i petullave dhe hidheni në vajin e ngrohur.

Sygjerim: Kini kujdes që t’i skuqni nga të dyja anët njësoj.

Në një pjatë të cekët vendosni disa letra kuzhine kështu do të përthithin vajin e tepërt nga petullat.

Këto petulla serviren të ngrohta dhe me pak sheqer pluhur të spërtakur sipër, por nëse preferoni mund t’i shoqëroni me djathë, mjaltë apo reçel.

/AgroWeb.org