Peshku ishte aq i mirë sikur hëngrëm mish qingji

5 vjet me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Kjo është një shprehje pak e shkarë që shqiptarët e përdorin sa herë në tryezë kanë ndonjë bishë deti. Kështu është dhe bishtverdhi ose më mirë peshku ton i Adriatikut.

Ai vjen i kuq nga mishi dhe pritet sikur me qenë rosto. Është mish që ka nevojë për marinim. Zakonisht tek ne e lyejnë me pak vaj ulliri, kripë dhe piper të zi dhe e hedhin në zgarë. Me thënë të drejtën shumë i shijshëm del edhe kështu, por unë po bëj një farë shpikje. Po fus në punë portokallin dhe konjakun.

Le të shohim çdo dalë.

Përbërësit:

Bishtverdhë – peshk ton (1.5 kilogram)

Portokall (1 kokërr)

Gjalpë (100 gramë)

Hudhër (dy thelpinj të qërruar)

Sherebelë (4-5 gjethe)

Ullinj (7-8 kokrra)

Majdanoz (1 tufë)

Konjak (100 gramë)

Verë e bardhë (një filxhan çaji)

Vaj ulliri

Kripë

Piper i zi

Përgatitja:

Në një tigan gize ose guri që mund ta fusni edhe në furrë hidhni gjalpin dhe vajin e ullirit, së bashku me thelpinjtë e hudhrave, gjethet e sherbelës, ullinjtë. Lëri të kavardisen pak. Copën e bishtverdhit lyeje me kripë dhe piper të zi dhe vendose në tigan. Griji përsipër me rende lëkurën e portokallit. Kripose dhe kavardise në të dyja anët me zjarr mesatar. Pastaj shuaje me lëngun e portokallit, verën dhe konjakun që i ke bashkuar dhe përzier në një enë. Lëre në zjarr të ulët sa të avullojë alkoli. Fute në furrë me ventilim me 180 gradë celcius. Pas 15 minutash ktheje nga ana tjetër. Pas 10 minutash shtoji majdanizim e prerë hollë. Lëre dhe 5 minuta. Pasi të ftohet preje me feta të holla.

Shërbeje të lagur me lëngun që ke në tavë dhe pije një gotë verë. Në këtë rast sipas mendjen sime duhet verë rosé.