Për ne që besojmë tek çokollata

5 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Ky kek pa frikë mund të quhet kali im i betejës: nuk ka njeri që ta ketë provuar dhe të mos e ketë adhuruar. Madje mund të them se ka qenë suksesi i këtij keku, shija e tij e përsosur, e që bëhet aq thjeshtë, që më ka bërë të mendoj që unë qenkam e mirë për të bërë ëmbëlsira. Sekretin e tij e ka ndarë me të gjithë Sadije Berisha në librin e saj “Dëshirat e ëmbla”: për mua botimi më i mirë në shqip, për të gjithë ata që duan kuzhinën dhe sidomos ëmbëlsirat (ka ende disa kopje të librit në librarinë “Adrion”).

Për ta bërë, ju duhet gjalp i mirë (më duhet ta theksoj gjithmonë, gjalp i mirë nuk është ai që blihet me kile në bulmetoret shqiptare, me gjithë respektin për prodhuesit shqiptarë, në shumicën e rasteve ka erë të rëndë që ndihet në ëmbëlsira) dhe kakao e hidhur e cilësisë shumë të mirë. Duhet dhe një enë milimetrike, pasi masat edhe të produkteve jo të lëngshme, janë të llogaritura në decilitër. Përshembull kur thuhet 4.5 decilitër sheqer do të thotë 450 mililitra. Pasi kalohet ky “test” matematike, gjithçka është shumë e thjeshtë: shtoni një bustinë fryrës dhe piqeni si çdo kek tjetër, derisa zemra të mos jetë e lëngët nëse e doni të tillë, ose mos e përdorni fryrësin dhe piqeni më pak nëse preferoni zemrën e lëngët, të ngjashme deri diku me suflenë. Pas një nate në frigorifer apo i shoqëruar me akullore, keku është thjesht i përsosur.

 

Përbërësit

200 gram gjalpë në temperaturë ambienti

4.5 decilitër sheqer

4 kokrra vezë

6-8 lugë gjelle kakao të hidhur

Vanilje

3 decilitër miell

Një majë luge kripë

Përgatitja

Në një enë rrihni me rrahësin elektrik sheqerin me gjalpin, derisa të bëhet një masë kremoze.

Shtoni duke vazhduar rrahjen vezët një e nga një.

Hidni kakaon, vaniljen, kripën (në rast se e dëshiron edhe një bustinë fryrës).

Shtoni miellin dhe rriheni derisa të bëhet brumë kompakt. Hidheni në tavën e lyer më parë me gjalpë dhe të pudrosur me miell dhe piqeni në furrën e nxehur paraprakisht.

Mos harroni t’i bëni fotografi përpara se ta hani :).