Për mëngjese, për çaj apo thjesht si ëmbëlsirë, keku me arra është zgjidhja

3 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Fundjavën e shkuar mu desh të pjek tre ditë rresht. Të dielën isha e ftuar për drekë në një shtëpi miqsh dhe si gjithmonë dola vullnetare për të bërë ëmbëlsirën. Por pasi isha velur me çokollatë nga e premtja (një tjetër darkë me miq), kisha bërë biskotat pa gjalpë të shtunën, nuk më mbushej mendja se çfarë të bëja diçka të veçantë dhe të shpejtë njëkohësisht të dielën paradite që ta merrja me vete në drekë. Zgjidhja më erdhi nga libri i Arbana Osmanit “Receta për 5 minuta”që më kujtoi kekun që bën më së shumti mami im (mesa lexova edhe kekun e mamit të saj). Që ta personalizoja ca, por dhe që të jem në rregull me të drejtat e autorit, ndryshova dy tre gjëra. Origjinalin, kekun e Arbanës, ju e gjeni në libër (jua këshilloj vërtetë, sepse ka disa gjëra kaq të shijshme, saqë unë jam bërë addicted, dhe këtë e keni parë në story tashmë). Kurse variantin tim po e ndaj këtu. Jam e bindur që sapo ta bëni një here, nuk do t’i ndaheni. Sepse ka shumë shije, është si sfungjer për shkak të kosit dhe nuk kërkon pazar ekstra: për pak minuta përgatitje futet në furrë dhe bëhet me ato që keni në shtëpi.

Përbërësit

200 gr sheqer; 180 gr gjalpë në temperaturë ambienti, 200 gr kos; 3 vezë; 300 gr miell; 1 pako pluhur fryrës; 100 gr arra të grira, një filxhanë çaji rrush të thatë (mami im ia shton gjithmonë, unë të dielën nuk kisha në shtëpi, kështu që keku im u bë pa rrush); 1 lugë gjellë kanellë e bluar.

Përgatitja

Ndezim furrën në 180  gradë celcius. Fusim rrushin e thatë ne një tas me ujë të nxehtë dhe e lëmë të paktën 10 minuta.

Rrahim në mikser gjalpin me sheqerin. Shtojmë një nga një vezët dhe vazhdojmë rrahjen derisa të  bëhet masë pa korriza. Në një enë bëjmë bashkë  miellin, kanellën dhe fryrësin, dhe fillojmë i  shtojmë tek përzierja duke i rrahur me shpejtësi të ulët derisa të formohet brumi i rrjedhshëm i kekut. Shtrydhim rrushin nga uji, e shtojmë tek brumi dhe e përziejmë me spatul.

E vendosim brumin në tavën e kekut  të lyer paraprakisht me gjalpë dhe pudrosur në miell dhe e pjekim për rreth 40 minuta. Nëse  është pjekur nga sipër, por është ende i lëngshëm brenda (kjo ndodh shpesh kur  përdoret forma e silikonit si e imja), e mbulojmë me letër alumini  dhe e pjekim dhe për rreth 10 minuta  të tjera, ose derisa krruajtësja e dhëmbëve të dalë e pastër nga brumi.

Mund ta pudrosim me sheqer pluhur për zbukurim.