Për ëmbëlsira me shërbet, kemi mamin

6 vjet me parë / nga Iva Tico
Iva Tico

Për herë të parë kjo ëmbëlsirë në shtëpinë time nisi të dukej diku nga fundi i viteve ’80, me një emër që nuk më pëlqente aspak “Haxhimakull”.  Vetëm para disa muajsh, e ftuar në emisionin “Opinion”, mësova se është një nga ëmbëlsirat tradicionale shqiptare, me origjinë nga Shkodra. Por përtej emrit (një shoqja ime i thotë Kokëarapi, një tjetër pufka), ajo që kujtoja prej saj, ishte shija shumë shumë e mirë, aq sa atëherë e doja dhe e kërkoja çdo të dielë, edhe pse kjo dëshirë nuk më plotësohej gjithmonë, sepse siç më kujtohet 100 gramë gjalp, sa ç‘kërkonte ëmbëlsira, ishte racioni i një jave që çdo familjeje i takonte të blinte.

Sot mamit ia kërkoj sërish këtë ëmbëlsirë (ende nuk kam marrë guximin ta bëj vetë) dhe sërish ajo më nxjerr ndonjë justifikim, tashmë që gjalpi nuk mungon më, qenka e vështirë të gjesh qumësht pluhur.  Gjithsesi Alma, mikesha ime e vjetër tek Pastiçeri Rustemi në Fier tregohet gjithmonë bujare dhe ma lë mamin pa jusifikime, duke i dhënë gjithmonë qumështin pluhur për mua. Ndaj dhe kësaj radhe ajo ma bëri sërish ëmbëlsirën, që më sjell ndër mend shije të dielash të dikurshme, bashkë me recetën dhe këshillën: mos ma kërko shumë sepse ke filluar të shëndoshesh (ky do jetë justifikimi i ardhshëm, për të mos ma bërë më).

 

Përbërësit

1 gotë qumësht pluhur

1 gotë miell

3 kokrra vezë

100 gramë gjalp

1 lugë sodë buke

 

Përgatitja

Përgatisim brumin dhe me të formojmë 12 toptha të vegjël. I vendosim jo shumë pranë njëra tjetrës dhe I pjekim në furrën e nxehur më parë në 160 gradë

Për shërbetin nevojiten 4 gota sheqer dhe 2 gota ujë

Shërbeti hidhet direkt pas pjekjes, i nxehtë mbi ëmbëlsirën ende të nxehtë.