Parmigiana me kunguj (Po të dija të bëja dhe foto do të ishte po aq e bukur sa e shijshme)

3 muaj me parë / nga Enkel Demi
Enkel Demi

Kjo histori ka si përherë të njëjtin fillim dhe të njëjtin fund. Iva Tiço do të marrë në telefon sapo ta publikoj këtë recetë dhe do të nisë atë monologun e saj për padijen time në bërjen e fotove, por mbi të tëra në përdorimin e filtrave.

Por, meqë unë jam njeri me shije jo të holla estetike, guxoj të paraqitem si njeri me shije në të ngrënë dhe Iva Tiço le të mbajë fjalim sa t’ia ketë ënda.

Meqë deri dje “Parmigiana” e kishte fisin me patëllxhan, po guxoj ta propozoj me kunguj të pjekur që me thënë të drejtën doli “nona”.

Përbërësit:

Kunguj (të madhësisë mesatare 3 copë)

Mortadella (150 gramë)

Djath parmigiano (150 gramë)

Djath i tymosur (200 gramë)

Qumësht (500 gramë)

Miell (tre lugë gjelle)

Gjalpë (50 gramë)

Vaj ulliri (20 gramë)

Bukë e thekur e bluar (50 gramë)

Kripë

Piper i zi

Përgatitja:

Kungujt pasi janë larë dhe tharë priten sa më hollë, mundësisht me prerësen e patateve. Fetat e tyre i shtrojmë në një tavë të madhe mbuluar me letër kuzhine. I kriposim dhe i hedhim piper dhe një lot vaj ulliri.

I vëmë të piqen në furrë të ventiluar për 15 minuta me 150 gradë nxehtësi.

Ndërkohë në një enë përgatisim bechamel-in si rrëfehet në linkun e lasagna-ve.

Tavën ku do të shtrojmë Parmigiana-n e lyejmë me një lugë bechamel që mos të na ngjisë fundi. Shtrojmë fetat e pjekura të kungullit sikur të jenë lasagna dhe hedhim mbi to bechamel, djath të tymosur të prerë në kubikë, mortadella po në kubikë dhe në fund djath parmigiano. Shtrojmë një shtresë të dytë dhe sillemi njësoj me të parën. Shtrojmë shtresën e fundit; bëjmë tëpkë si më parë, por në fund i shtojmë dhe pak bukë të thekur të bluar që të kemi shtresën e fundit më krokante.

Tavën e shtijmë në furrë të ventiluar dhe e lëmë për 25 minuta në temperaturë 180 gradë.

Priteni të ftohet pak që ta shërbeni. Mund të jetë dhe pjatë e vetme, sepse është jo pak e rëndë.

P.S. Iva të bëjë fotot, ju të tjerët shijojeni.